Pas aksidentit tragjik të 28 nëntorit të shkuar, në Kolumbi, i cili u kushtoi jetën 71 personave dhe shkatërroi Çapekoensen, skuadra braziliane, e cila u riformua me lojtarë të rinj dhe disa blerje, nuk ngurroi kurrë që të heqë dorë nga fluturimet ajrore, madje në muajin e fundit, futbollistët kanë qëndruar vetëm 3 net në qytetin e tyre. Por ajo që ndodhi në të gdhirë të ditës së djeshme, në fluturim, ka drithëruar shumë persona, duke risjellë në mendje atë që ndodhi më parë. Teksa po ktheheshin nga Buenos Airesi (Argjentinë), ku Çapekoense ishte ndeshur me Lanusin, me rastin e Kupës Libertadores dhe duke fituar edhe 2-1 madje, avionit të tyre i është dashur që të bëjë një devijim dhe një ulje emergjence në Porto Alegre (Brazil). Siç raporton anglezja “The Sun”, këtë herë, fatmirësisht, nuk ka qenë një defekt i mjetit ai që ka detyruar këtë manovër, por një problem në pistën e Çapes, i cili ka detyruar ndërrimin e itinerarit.