Vjollca SADIKU
Dibër ,14 mars – Peshkatarët sportive të Dibrës kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e fondit të peshkut, por edhe për shkatërrimin e biodiversitetit të liqenit, për shkak të uljes së nivelit të ujit në Liqenin e Dibrës, shkruan gazeta KOHA. Në takimin e fundit që ka pasur Shoqata “Trofta”, peshkatarët sportive kanë aprovuar kërkesat e tyre, të cilët i kanë dërguar në adresë të institucioneve kompetente lokale dhe qendrore që të merren masa urgjente kundër koncesionerit të liqenit dhe ELEM.
Mes tjerave theksohet se kërkohet nga institucionet kompetente në vend të ndalet peshkimi ekonomik. Situata me fondin e peshqve në Liqenin e Dibrës është alarmante. Nga viti në vit fondi i peshqve ka një ulje drastike për shkak të gjuetisë ekonomike të peshkut, edhe atë pa kritere. Këtë vlerësim e japin anëtarët e Shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta” në Dibër, të cilët shprehin revoltin e tyre për situatën në fjalë. Ata akuzojnë koncesionerin e Liqenit të Dibrës,Kooperativën “Peshku i Ohrit” për të cilën thonë se as së afërmi nuk respekton kontratën për koncesion që ka me Ministrinë për Bujqësi, Pylltari dhe Ujëra. Në takimin e fundit të udhëheqësve të Shoqatës “Trofta” janë përpiluar kërkesat të cilat janë dërguar në institucionet lokale dhe qendrore, të cilët janë kompetente për këtë çështje.
Përfaqësuesi i Shoqatës “Trofta”, Dritan Bocku, thotë për KOHA se situata në fjalë nuk tolerohet, meqë dëmet janë të mëdha. Gjuetia e peshkut në sasi të mëdha (në aspektin ekonomik) dëmton fondin e peshkut në liqe. Koncesioneri nuk respekton kontratën dhe në atë drejtim as nuk bën shumimin e peshkut në sasitë e nevojshme të parapara me kontratën. Bocku shton se në kërkesat, veçmas theksohet nevoja e institucioneve lokale dhe qendrore menjëherë të reagojnë me mënyrën që koncesioneri realizon gjuajtjen e peshkut në Liqenin e Dibrës. Ka raste kur nicat e shumta për peshkim koncesioneri i lëshon kur bëhet shumimi natyror i peshkut, thot Bocku. Peshkun në këtë liqe të bukur e gjuajnë persona të cilët nuk janë të kualifikuar dhe shpesh herë ndodh që peshkimin ta realizojnë me mjete eksplozive. Në qëndrimet e kësaj shoqate, veçmas theksohet nevoja që institucionet kompetente të bëjnë një kontroll të rreptë në përputhje me Ligjin për peshkim të punës së koncesionerit, i cili sipas informatave që ka shoqata, nuk respekton asnjë nen nga kontratat që ka lidhur me ministrinë adekuate.
Reagimet e Shoqatës “Trofta” janë në drejtim që institucionet të ndalojnë peshkimin ekonomik dhe të lejojnë vetëm peshkim sportiv. Kjo situatë, sipas kësaj shoqate, do të mundësonte rritjen e fondit të peshkut, por edhe do të ndalte masakrimin që bën kooperativa në fjalë në llojet e peshkut, thonë përfaqësues të kësaj shoqate. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Kooperativës “Peshku i Ohrit”, disa herë kanë deklaruar se si koncesionerë respektojnë tërësisht kontratën që kanë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave.
Anëtari i Shoqatës “Trofta”, Dritan Bocku, po ashtu informon se shoqata kërkon nga ELEM të respektojë nivelin, respektivisht kuotën minimale të ujit të Liqenit të Dibrës. Shumë herë gjatë vitit, duke punuar maksimalisht hidrocentrali “Spile”, niveli i liqenit është shumë i ulët dhe besohet se është nën pikën kritike. Kjo situate dukshëm shkatërron biodiversitetit e jetës së florës dhe faunës në liqe, thekson Bocku dhe shton se kërkohet nga ELEM të respektojë nivelin e liqenit. Problemet në fjalë janë probleme jetike për mbijetesën e liqenit të bukur të Dibrës, thonë nga Shoqata e peshkatarëve sportive “Trofta” në Dibër. Presin nga kompetentët të marrin masa urgjente për të shpëtuar fondin e peshkut në liqe, duke vendosur ndalesë për koncesionerin “Peshku i Ohrit” për peshkim ekonomik, por edhe duke vendosur ndalesë për ELEM të mos ul nivelin e ujit në liqe nën nivelin e garantuar, me qëllim qe të mos dëmtohet flora dhe fauna në liqe.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.