ULJANOVA ÇALI: Krijojmë paruke dhe rikthejmë buzëqeshje (FOTO)

24

Ne e kemi bërë me shumë zemër këtë akt, i mbështesin dhe u ofrojmë ndihmë këtyre kategorive shoqërore, për t’i bërë të ndjehen jo të diferencuara nga shoqëria dhe duam të shohim buzëqeshje në fytyrat e tyre. Kemi dhuruar gati 10 mijë euro për njerëz që vuajnë nga leucemia dhe e kemi bërë me shumë dashuri

Bisedoi: Blerand REXHEPI

Keni dëgjuar për “Novën e Parukeve”?! Jemi të bindur që PO, sepse Uljanova Çali është emri më i lakuar në fushën e realizimit të parukave, madje e vetmja në Ballkan me prurje të tilla. Në këtë fushë ajo punon me bashkudhëtarin e jetës, por edhe të punës, Gëzimin dhe të dy bashkë kanë dëshirë që edhe djali i tyre të trashëgojë artin e prindërve. Nga duart e Novës kanë dalë një sërë modelesh të përshtatshme për këdo që ka nevojë për zgjedhjen që i vjen për shtat, ndërsa nuk mungojnë modelet reale që kanë krijuar duart e dy mjeshtrave të parukeve me flokë natyralë. Ato qëndrojnë në korniza mbi mur duke i dhënë sharm ambientit të punës. Punët e tyre janë të panumërta, paruke të përmasave të ndryshme, ndërsa mes tyre ka histori prekëse, emocione që dëshmojnë jo thjeshtë një ngarkesë fizike, por shpëtimin në duart e dy njerëzve krijues e që të gjitha i tregon për InfraRed të gazetës KOHA.

KOHA: Na trego pak më shumë për punën tënde, çfarë bën saktësisht Uljanova Çali?

Puna ime dhe e bashkëshortit tim konsiston në prodhimin e parukeve më flokë natyralë 100%. Një investim që mua dhe bashkëshortit na është dashur shumë punë dhe mund për të arritur perfeksionin që gëzojmë sot.

KOHA: Dimë që je e vetmja në Ballkan për realizimin e këtyre parukeve apo jo?

Është e vërtetë, në Ballkan për mbulimin e nevojave me paruke kemi arritur të jemi të vetmit. Gjithçka e kemi organizuar për një punë artizanale perfekte, sepse është punë e bërë me dorë.

KOHA: Nova, si u bë realitet i gjithë ky investim, i cili duhet thënë, ka kosto në blerjen e materialeve, sidomos të flokut natyral?

Ky flok vjen nga Brazili apo edhe nga India e largët. Unë rashë në kontakt për herë të parë me këtë ide, gjatë përvojës time në një qendër parukerie në Greqi. Njohja me një ruse bashkëpunëtore, më ofroi shansin e një trajnimi të specializuar enkas në bërjen e parukeve në Moskë të Rusisë. Gjashtë muaj mora bazat, ndërsa vazhdimësia në këtë udhë ishte një sfidë më vete. Pas përpjekjeve për të realizuar paruken më uniforme e natyrale sipas kokës sime, guxova dhe preva flokët për të testuar e para garancinë e punës që bëja vetë. Sigurisht që pas këtyre herëve erdhi dhe perfeksioni, e pas Greqisë ku e ushtrova si profesion, vendosa të hapë qendrën tim në Tiranë, ku jo vetëm këtu, por në tërë Ballkanin nuk ka mirëfilli një të tillë.

KOHA: Këto paruke janë të lehta në kokë, domethënë nuk sjellin probleme në mbajtjen e tyre?

Janë shumë të lehta, të përshtatshme sipas kërkesave dhe forma të kokës. Flokët e shëndetshëm e të përpunuar, marrë nga jashtë, montohen në struktura prej site, llastiku apo kapësesh, shmangin alergjitë dhe lejojnë ajrosjen e lëkurës. Ndërtimi dhe funksionimi i parukeve shkon sipas kërkesave dhe dëshirave te atyre qe u duhen. Ka që duan të ruajnë flokët e tyre nga dëmtimi i bojërave, ka që kanë humbje në pjesë të caktuara dhe nga ata që për shkak të kimioterapive janë të kushtëzuar të mbajnë një të tillë, për të shmangur gjykimet e shoqërisë për dallimin që kanë.

KOHA: Si mirëmbahet një paruke?

Një paruke mirëmbahet një herë në muaj, duke e larë me një shampo normale e duke e trajtuar me kremin zbutës, sepse është flok natyral. Për personat që vendosin proteza, paruket janë të palëvizshme. Këto janë rastet kur personi nuk ka flokë fare. Ndërsa tek ata që kanë flokë të rralla, vendoset një protezë e vogël me kapëse, që hiqet dhe vihet.

KOHA: Cila mendon se është baza e suksesit në punën tënde?

Unë në bazë të komunikimit me personin që zgjedh të vendosë paruke, ndërtoj idenë e qartë mbi natyrshmërinë që ka nevojë ai person të transmetojë pas bërjes së këtij ndryshimi, i cili në fakt është i padukshëm. Gjithashtu, përpiqem të ofroj edhe mbështetje të vazhdueshme për pyetjet dhe nevojat që ka personi që kam përballë.

KOHA: Sa është jetëgjatësia e një parukeje, sepse besoj edhe ajo ka një afat?

Jetëgjatësia e një parukeje zgjat tre vjet, ndërsa mirëmbahet si proces më tej pa asnjë lloj shërbimi. Parukja nuk të lodh, edhe nëse nuk do ta krehësh. Edhe pasi e lanë, mjafton ta krehësh gjysmë të lagur e ta lësh të thahet. Shumë veta kanë merakun se mos u rrëshqet parukja. Në këto raste vendosen kapëse, ndërsa tek ata që kanë gjysmë flokë, vendoset silikon, i cili nuk e dëmton flokun, por e mban të qëndrueshëm.

KOHA: Paruket tuaja mund të lyhen, krihen si floku normal?

Një paruke të bërë nga ne mund ta lyesh, ta krehësh apo t’i japësh modele, ashtu si një funksion normal me flokun natyral. Nuk ka asnjë dallim.

KOHA: Ka personazhe të njohur që blejnë paruke, krahas njerëzve të zakonshëm?

Sigurisht, mes blerësve të shumtë, ka edhe personazhe VIP, nga bota e muzikës, kinemasë, televizionit, nga të gjitha me pak fjalë.

KOHA: Kë dallon ti në lëmin e atyre që marrin paruke nga duart e Novës dhe Gëzimit?

Të jem e sinqertë, dallojnë ata me nevoja të veçanta. Janë vajza apo gra që trajtohen me kimioterapi dhe që të jenë sa më pranë jetës normale, ato vendosin të blejnë paruke, që i bëjnë të duken se sëmundja nuk i ka prekur apo kërcënuar aspak. Përkundrazi! Duken shumë mirë dhe shumë pranë jetës normale.

KOHA: Një nga aktet filantropike më të bukura që kemi parë nga ju është edhe dhurimi i parukeve për njerëz që vuajnë nga leucemia. Duheni përgëzuar pa fund…!

Ne e kemi bërë me shumë zemër këtë akt, i mbështesin dhe u ofrojmë ndihmë këtyre kategorive shoqërore, për t’i bërë të ndjehen jo të diferencuara nga shoqëria dhe duam të shohim buzëqeshje në fytyrat e tyre. Kemi dhuruar gati 10 mijë euro për njerëz që vuajnë nga leucemia dhe e kemi bërë me shumë dashuri.

Comments are closed.