Urim HASIPI
Tetovë, 28 mars – Ndryshimi i temperaturave në këtë periudhë mund të ketë efekt negative ndaj pemëve dhe perimeve, të cilët sapo kanë filluar të çelin, shkruan gazeta KOHA. Më vështirë është për ato të mbjella, të cilët janë nëpër serra dhe janë mbjellë më herët, por që rrezikohen të dëmtohen nga këto temperatura të cilat këtyre ditëve kanë përfshirë jo vetëm rajonin e Pollogut. Ekspertët e këtij lëmi thonë se ulja e temperaturave ndikon më shumë te pemtaria, vreshtaria dhe perimet e mbjella.
Agronomi Xheladin Nuhi, nënvizon se përderisa temperaturat akoma janë mbi zero gradë, kjo nuk mund të ketë shumë ndikim, por rreziku ekziston nëse temperaturat fillojnë të ulen më shumë. “Ngricat e hershme vjeshtore dhe ato të vonshme pranverore ndikojnë negativisht në kulturat bujqësore, në veçanti në pemtari, por edhe tek perimet. Pra, ndikojnë në rritjen e rendimeve bujqësore dhe me këtë rast ekzistojnë forma të ndryshme të mbrojtjes nga ngricat, në veçanti kur kemi ulje të temperaturave nën zero gradë celsius”, thotë për KOHA, Xheladin Nuhiu, agronom. Ai më tej nënvizoi se në rajonin e Tetovës ka shumë pak sisteme që mbrojnë kulturat bujqësore dhe të tjerat gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, këto sisteme duhet më shumë të praktikohen nga ana e bujqve që të mund të mbrojnë prodhimet nga këto temperature.
“Kemi përdorim me anë të shiut artificial dhe me anë të gomave të papërdorura, por që janë nxjerrë nga përdorimi, pra janë goma të automjeteve dhe vendosen në distanca të caktuara, të cilët lëshojnë tym gjatë djegies së tyre dhe e ngrohin atë ambient dhe kjo nuk lejon uljen nën zero gradë celsius. Metoda me anë të shiut artificial, është një metodë e mirë por më e shtrenjtë, e cila rrallë herë përdoret në rajonin tonë dhe përdoret kur temperaturat fillojnë të zbresin nën zero gradë celsius, kurse sistemi i këtillë mbron pemët deri në minus 10 gradë celsius. Kur kemi ngrica fillon edhe të lëshohet uji kurse një litër ujë ka aftësi të krijojë temperature deri në 20 gradë”, sqaron më tej Nuhiu.
Kjo, sipas tij, është një metodë shumë e shtrenjtë por që bujqit tetovarë shumë pak e përdorin dhe prandaj më e lehtë është ajo me djegien e gomave. Bujqit ankohen se konkurrenca jolojale ka bërë që ata të heqin dorë nga të perimet dhe pemët që dalin më herët në treg, ngase të njëjtat sillen me çmime më të lira, ndërsa ata gjatë kultivimit në këtë periudhë kanë shumë harxhime dhe nuk mund të përballojnë këtë mënyrë të tregtisë së pandershme që u bëhet atyre duke lejuar prodhime nga vende të tjera me çmime më të lira dhe në këtë drejtim nuk stimulohen bujqit vendas që ata të jenë të pranishëm në treg në të gjitha stinët. “Kur ne dalim me prodhimet tona atëherë duhet që të njëjtat t’i shesim me çmime më të lira dhe me ato çmime ne nuk mund që të mbulojmë harxhimet që i kemi gjatë kultivimit të tyre, ndërsa për sisteme më të mira mbrojtëse në këtë periudhë as që mund të mendojmë sepse nuk kemi llogari”, thotë një bujk nga Tetova. Përndryshe, kryesisht në Pollog ka shumë pak plantazh të prodhimeve të hershme ndërsa në treg më shumë këto prodhime sillen nga vende tjera dhe janë shumë të shtrenjta.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara