Krahas kësaj, apelohet që në këtë periudhë qytetarët të mos dalin pa nevojë jashtë shtëpive të tyre, ndërsa nëse kanë simptoma të gripit të drejtohen tek mjekët amë dhe të mos marrin barna kokë në vete
Urim HASIPI
Gostivar, 28 janar – Në periudhën e dimrit zakonisht rritet numri i personave të cilët kaplohen me gripin sezonal. Këtë vit, në rajonin më të gjerë të Gostivarit, nga fillimi i muajit janar nuk është regjistruar asnjë rast me grip. Këtë e ka bërë të ditur Instituti për Shëndet Publik në Gostivar, prej nga thonë se këtë vit ka numër minimal të të prekurve nga gripi sezonal në këtë rajon. Që nga fillimi i javës së 40 të vitit të kaluar, në rajonin më të gjerë të Gostivarit vetëm katër persona kanë qenë me grip. Për dallim nga viti paraprak (2019), në Gostivar dhe rrethinë gjithsej ishin regjistruar 1700 raste me gripin sezonal. “Në rajonin e Gostivarit, situata me gripin sezonal me të vërtetë është shumë e qetë sepse kemi numër minimal të personave që janë regjistruar me grip sezonal. Gjatë periudhës kur llogaritet se gripi sezonal është i pranishëm që fillon në javën e 40, gjithsej kemi katër raste të gripit sezonal, kurse gjatë muajit janar nuk është regjistruar asnjë pacient me grip. Pra, nuk kemi asnjë rast as te mjekët amë, por as tek reparti i sëmundjeve infektive në rajonin e Komunës së Gostivarit”, thonë nga Instituti për Shëndet Publik në Gostivar.
Ky ndryshim pozitiv, sipas Institutit për Shëndet Publik në Gostivar, është pasojë e masave dhe protokolleve që janë ndërmarrë për mbrojtje nga virusi corona. “Vlerësojmë se kjo është pasojë e masave që kanë vendosur institucionet shëndetësore për mbrojtje nga virusi korona, sepse bëhet fjalë për sëmundje respiratore, ku transmetimi bëhet në mënyrë të njëjtë, pra me vendosjen e maskave, me mbajtjen e distancës dhe ndalimin e organizimeve publike, është vepruar në mënyrë preventive edhe ndaj gripit sezonal. Po ashtu, një fakt tjetër është se edhe shkollat vazhdojnë që të zhvillojnë mësimin në mënyrë online. Gjithashtu edhe reduktimi i punës së objekteve hotelerike ka bërë që të kemi numër kaq të ulët të personave me grip sezonal”, nënvizojnë nga Instituti për Shëndet Publik në Gostivar.
Por, edhe përskaj shifrave kaq të vogla sa i përket gripit sezonal, nga Instituti për Shëndet Publik në Gostivar bëjnë apel që sa më shumë qytetarë të vaksinohen. Apelohet që në këtë periudhë qytetarët të konsumojnë sa më shumë lëngje, të mbajnë higjienë personale në nivel më të lartë dhe të shmangien e takimeve me më shumë persona, sidomos në vende publike. Krahas kësaj, apelohet që në këtë periudhë qytetarët të mos dalin pa nevojë jashtë shtëpive të tyre, ndërsa nëse kanë simptoma të gripit, të drejtohen tek mjekët amë dhe të mos marrin barna kokë në vete. Po ashtu, sipas informacioneve të fundit, dukshëm në rajonin e Gostivarit është ulur edhe numri i testeve për Covid-19. (koha.mk)