Nga shoqatat e kultivuesve të dhenve kërkojnë ndihmë më të madhe nga shteti, me qëllim që të kenë vazhdimësi në prodhimtari dhe furnizimit e tregut sipas nevojave të konsumatorëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 prill – Numri i dhenve në Maqedoninë e veriut shënon një ulje të madhe nga 2 milionë dhe 490 mijë dhen në vitin 1989 në 724.665 dhen në vitin 2017. Një gjendje e tillë në një masë të madhe I detyrohet ikjes së madhe të popullatës nga vendbanimet rurale në vendbanimet urbane , por edhe jashtë shtetit, ulja e fitimit si dhe problemet me shitjen e sigurt në tregjet e jashtme, shkruan gazeta KOHA. Një goditje tjetër e madhe për kultivimin e dhenve ishte edhe sëmundja e ligës dhe shapit në vitin 1996, për shkak të së Cilës, Bashkimi Evropian ndaloi eksportin e mishit të qengjit nga Maqedonia që tradicionalisht shitej në Itali, Greqi dhe Kroaci.
Për shkak të çmimeve tejet të ulëta prej 60 denarë për kilogram qengji, në atë kohë më shumë kultivues të dhenve filluan të sheshin bagëtitë dhe të heqin dorë nga kjo degë e blegtorisë. Goditje tjetër për kultivimin e dhenve ishte edhe sëmundja “Gjuha e kaltër”, që në vitin 2014 uli numrin e dhenve për disa dhjetëra mijë kafshë.
Nëse e përkthejmë në shifra konkrete, mund të themi se në vitin 1989 , në shtet ka pasur një milion e 720 mijë dhen, 620 mijë qengja, ndërsa pjesa e mbetur kanë qenë tjerat desh dhe dhen për therje. Gati 28 vite më vonë, apo në vitin 2017 në shtet ka pasur afër 580 mijë dhen, 113 mijë qengja dhe lloje të tjera të bagëtisë. Agronomët vlerësojnë se në këtë degë të blegtorisë, për dallim për shembull prej kultivimit të lopëve për qumësht apo mish, nevojiten investime më të vogla që mund të ulin papunësinë. Por një gjë e tillë kërkon edhe një angazhim më të madh nga ana e shtetit që përmes mënyrave të ndryshme nevojitet më shumë të mbështesë kultivimin e dhenve, duke ofruar për shembull kredi me kamata shumë të volitshme me periudhë grejs apo të pritjes prej disa vitesh, për të interesuarit që dëshirojnë të investojnë në fermat e reja për kultivimin e dhenve.
Në favor të mbështetje së kultivimit të dhenve flet edhe fakti se para viteve 90-të nga kultivimi i dhenve është realizuar eksport më i madhe se 50 milionë euro, ndërsa kultivimi i dhenve mund të sigurojë profit shumë më të madh , apo se dhentë mund të kultivohen me harxhime shumë më të vogla në raport me kafshët e tjera.
Nga ana tjetër, nga shoqatat e kultivuesve të dhenve kërkojnë ndihmë më të madhe nga shteti, me qëllim që të kenë vazhdimësi në prodhimtari dhe furnizimit e tregut sipas nevojave të konsumatorëve. Sipas kryetarit të Lidhjes së kultivuesve të dhenve në shtet, Nikolla Gjeorgjiev, problemi me shitjen e sigurt, mungesa e infrastrukturës përkatëse deri te stanet apo fermat e dhenve si uji, rryma, apo rrugët, objektet jo të standardizuara për ruajtjen e dhenve apo pamundësia që të intensifikohet prodhimtaria blegtorale në kushtet në të cilat ajo zhvillohet, për shkak se ambientet ku kafshët qëndrojnë dhe prodhojnë, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në prodhimtarinë dhe në shëndetin e kafshëve.
“Mungon edhe akomodimi përkatës për barinjtë, ka probleme me çështjet e pazgjidhura pronësore juridike, mungon edhe zbatimi i teknologjisë më moderne . Andaj edhe kultivimi i dhenve ka fitim të ulët dhe nuk është tërheqës si veprimtari”, shton më tej Gjeorgjiev. Ai thotë se kultivuesit e dhenve kërkojnë që kjo degë e rëndësishme ekonomike të shpallet si veprimtaritë një interesi të veçantë për shtetin , të përgatitet një analizë e detajuar e gjendjes së saj momentale , të paguhen subvencione shtesë ngjashëm si në Turqi, Bullgari apo Serbi, të ndryshohen edhe kriteret për ndarjen e tokës dhe kullosave , apo të ofrohet mundësia që tu ndahet toka blegtorëve për prodhimin e ushqimit të kafshëve për shembull 150 kilogram jonxhë, apo 100 kilogram grurë për një dele, apo një hektar kullosë për tre dele. Njëherazi, pritet që pas zgjedhjeve presidenciale të zgjidhet edhe kërkesa e blegtorëve që kërkojnë ndihmë materiale nga shteti për të tejkaluar dallimin prej 30 për qind midis çmimit grumbullues dhe prodhues të dhenve.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se pas përfundimit të grumbullimit të qengjave do të analizohen të dhënat nga tereni, dhe pas përfundimit të ciklit të dytë të zgjedhjeve presidenciale , ky dikaster do të propozojë zgjidhje konkrete për më shumë probleme që mundojnë kultivuesit e dhenve, me qëllim që blegtorët të mos kenë humbje në punën e tyre.
Çdo shoqatë e kultivuesve të dhenve do të dërgojë një pyetësor të plotësuar deri tek ministria me të gjitha harxhimet prodhuese, i cili do të krahasohet me analizat e këtij dikasteri, me çka do të arrihet edhe çmimi real prodhues, që do të ndihmojë të përgatitet zgjidhje përkatëse për kultivuesit e dhenve.
Nga ana e shoqatave të kultivuesve të dhenve është përshëndetur iniciativa e Ministrisë së Bujqësisë, që përmes Agjencisë së ushqimit të regjistrohen dhentë dhe dhitë në shtet , për shkak se numri i saktë i këtij lloji të bagëtisë do të ndihmojë edhe në sajimin e politikave të mëtejshme efikase për kultivimin e dhenve dhe shpërndarjen e drejtë të subvencioneve.
Nga ana tjetër, në programin e këtij viti sërish parashikohet rritje prej 10 për qind të subvencioneve për blegtorët që orientohen ndaj dhenve me potencial zhvillimor, ndërsa janë ndarë edhe 24.5 milionë denarë për pajisjet fotovoltatike që përmes diellit prodhojnë rrymë, si dhe për sigurimin e ujit nëpër stanet e dhenve bagëtinë. Në vitin 2019, është rritur nga 4 në 4.5 denarë edhe subvencioni për një litër të dorëzuar të qumështit të dhenve, si dhe janë rritur nga 14 milionë në 60 milionë denarë mjetet për blerjen e kafshëve për mbarështim.
Nga ekzekutivi kanë paralajmëruar mbështetje dhe ndihmë për plasmanin e qengjit, si dhe angazhim të vazhdueshëm në vendosjen e kontakteve në tregjet e reja për eksportin e mishit të qengjit. Pritet të sigurohen edhe kuota për shitjen e mishit të qengjit në tregun turk.
Gjithashtu punohet edhe në Ligjin e ri për kullosa që do tu ndihmojë blegtorëve për planifikimin dhe organizimin e prodhimtarisë blegtorale.
Pas gati 20 vitesh, pritet të rregullohet edhe procedura dhe shfrytëzimi i kullosave në pronësi shtetërore si e mirë në interes të përgjithshëm në mënyrë bashkëkohore dhe transparente. Me zgjidhjet ligjore parashikohet që të vendoset evidencë e kullosave shtetërore dhe regjistër të kullosave , si dhe do të përcaktohen dispozitat e klasifikimit të kullosave në bazë të dedikimit të tyre. (koha.mk)