Omer XHAFERI
Shkup, 10 prill – Në periudhën në vijim, kur pritet të kemi temperatura më të larta, tradicionalisht rritet edhe dendësia në komunikacion. Paralelisht me këtë, siç tregojnë analizat dhe përvoja nga vitet e kaluara, karakteristikë për këtë periudhë është rritja e numrit të aksidenteve, ku kryesisht e pësojnë këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët, shkruan gazeta KOHA. Kjo është konstatuar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafik (KRST), të cilët theksojnë se arsyeja kryesore për këto aksidente është faktori njeri. “Faktori njeri dhe më tej është shkaku kryesor për aksidentet e shkaktuara me pasoja fatale. Kështu, sjellja e ndërgjegjshme dhe përgjegjësia e çdo individi i cili në njëfarë mënyre është pjesëmarrës në komunikacion, është çelësi për zvogëlimin e numrit të aksidenteve dhe zvogëlimin e pasojave”, thotë për KOHA profesori universitar dhe anëtar në KRST, Zoran Joshevski. Llogaritjet jozyrtare të Këshillit tregojnë se në tre muajt e parë ka rënie pothuajse të trefishtë në numrin e viktimave në krahasim më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu, nga janari e deri mars janë regjistruar 12 vdekje, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë vdekur 35 persona. “Do të ishte shumë johumane të themi se kjo shifër është optimiste, për shkak se bëhet fjalë për jetë, por analizat krahasuese nga viti i kaluar tregojnë rënie të konsiderueshme. Gjatë muajit mars, pavarësisht aksidenteve tjera me karakter më të rendë apo më të lehtë, për fat të keq, ndodhi edhe një aksident i rëndë ku humbën jetën tre persona të rinj nga Bogdanci”, thotë profesori Joshevski. Statistika e këtillë e këtij viti është e lidhur edhe me dhjetë aksidente tjera të cilët ndodhën në fillim të prillit, mes të cilëve edhe ajo në rrugën rajonale Shkup-Veles, ku kishte dy viktima. Aksidenti ndodhi të hënën e kaluar në fshatin Rzhaniçino. Siç njoftuan nga policia, një burrë 54 vjeçar nga Draçeva e Shkupit me “Audi” ka parakaluar një automjet, ku ka dalë jashtë rrugës dhe është përplasur në një gardh shtëpie. Shoferi në automjet kë qenë me dy persona të tjerë, të moshës 25 dhe 21 vjeçe. Drejtuesi i “Audi” dhe 25 vjeçari kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa 21 vjeçari me lëndime trupore është transferuar në spitalin e përgjithshëm. Gjithashtu, në dhjetë aksidente nga fillimi i këtij muaji në mesin e të lënduarve ka pasur dhe fëmijë. Një prej tyre është fëmija i nëntë vjeçar, këmbësor. Sipas informacioneve të policisë atë e ka goditur një automjet në Çair të Shkupit. Për atë si do jetë gjendja e rrugëve në periudhën në vazhdim, më shumë varet nga përgjegjësia e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. “Apelojmë për pjesëmarrje të ndërgjegjshme dhe me përgjegjësi të të gjithë pjesëmarrësve, sepse numri i përgjithshëm dhe statistika për sigurinë rrugore nuk kanë vlerë për askënd individualisht nëse vet në një mënyrë apo tjetër nuk pëson në aksident trafiku”, thonë nga Këshilli Republikan për Sigurim në Trafik. Prej aty njoftojnë se në periudhën në vazhdim është planifikuar fushatë e gjerë dhe gjithëpërfshirëse ku grup synies do të jenë të rinjtë si grup i rrezikuar pjesëmarrës në komunikacion. Fushata, siç thonë do të ketë karakter edukativ dhe do të përshijë ngjarje të cilat do të jenë ndryshe nga ata të cilët deri tani i kemi parë. Por qëllimi edhe më tej do të mbetet për të edukuar të rinjtë për rregullat e trafikut dhe për të ndikuar në rritjen e vetëdijes për pjesëmarrje të përgjegjshme. Gjithashtu, priten dhe aktivitete të cilat do ti kenë këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët si fokus grupe.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara