Zejnulla VESELI
Shkup, 18 tetor – Më se e nevojshme është të përgatitet një program për punë më fëmijë të moshave të mitura dhe të rinjtë që të hapet Qendër ditore për fëmijë përdorues të drogave, sepse angazhimi i deritanishëm i shoqatave jo qeveritare si dhe institucioneve shtetërore, shumë pak kanë pasur sukses në punën me fëmijët e grup-moshave të mitura që të heqin dorë nga përdorimi i drogave, sepse nuk ekzistojnë standarde konkrete apo procedura si të punohet me këta fëmijë. “Asnjë institucion në rajon nuk ka regjistër të saktë të të dhënave për fëmijët dhe të rinjtë që përdorin substanca narkotike të ndaluara ose të dhënat që i posedojnë, nuk korrespondojnë me realitetin që ndodhë në teren me fëmijët të grup-moshave të mitura”, deklaroi Tamara Martinovska nga Qendra për punë sociale pranë qytetit të Shkupit, para fillimit të punëtorisë tre ditore nën organizmi të Shoqatës “HOPS”, së bashku me partnerët nga vendet e rajonit dhe Evropës, punëtori në të cilën marrin pjesë ekspertë nga institucionet shtetërore dhe organizatat qytetare nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Punëtoria sipas Martinovska ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve punuese të organizatave qytetare dhe institucioneve shtetërore me fëmijët dhe të rinjtë që rrezikohet nga drogat, promovimi dhe gjetja e një zgjidhje më të mirë të një sistemi të qëndrueshëm për kategorinë e këtyre njerëzve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Ballkan.
“Të gjitha vendet e rajonit duhet t’ju ofrojnë përkujdesje të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të këtyre fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve cilësorë se si të veprohet me këta fëmijë që janë përdorues të drogave, që janë në konflikt me ligjet, fëmijë që vijnë nga familjet që janë përdorues të drogave, që jetojnë rrugëve pa përkujdesje prindërore”, deklaroi Martinovska.
Ndërkohë Ivica Cekovski nga Shoqata “HOPS”, informoi se vitin e kaluar është bërë hulumtim në teren dhe rezultoi se të gjithë fëmijët e vendeve të rajonit që janë përdorues të substancave të ndryshme narkotike, institucionet shtetërore nuk kanë aspak të dhëna të sakta për numrin e këtyre fëmijëve që janë të varur nga droga, që e bënë të pamundshëm të përcillen politikat të cilat janë paraparë në strategjitë nacionale apa planeve aksionare, që i sjellin ministritë apo institucionet e tjera përkatëse.
”Do vazhdojmë të punojmë në këto tema. Shpresojmë se deri në fund të projektit katërvjeçar, së bashku me institucionet shtetërore të vendeve të rajonit, do të arrijmë të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga drogat”, deklaroi Cekovski.
Njëherit u shpreh se në punëtorinë tre ditore që po mbahen në Shkup, në fokus do të jetë gjetja e zgjidhjes më të mira për të mbrojtur të rinjtë nga drogat e në veçanti fëmijët e mitur. “HOPS” vetëm në Shkup deri në fund të vitit të kaluar në teren ka kontaktuar mbi 85 fëmijë që janë përdorues të rregullt të drogave, ndërsa për çdo vit ky numër rritet për 30 fëmije. Asnjërin nga këta fëmijë shteti nuk i ka nën përkujdesje, nuk është filluar asnjë trajtim apo u është mundësuar ndonjë shërbim nga ana e shtetit që do të kontribuonte në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të këtyre fëmijëve që janë të varur nga drogat”, thotë Cekovski.
Kohëve të fundit Cekovski u shpreh se është rritur numri i fëmijëve që përdorin substanca të ndryshme narkotike që janë të moshës nën 12 vite si dhe është rritur numri i fëmijëve nëntëvjeçar që thithin “ngjitëse”. “Nuk kemi program konkret për punë më këta fëmijë, por në bashkëpunim me organizatat qeveritare dhe institucionet përkatëse shtetërore, i këshillojmë prindërit e tyre se si të përballen në situata të këtilla, ndërsa ata të moshave më të mëdha i dërgojmë për mjekim në Klinikën psikiatrike për fëmijë”, deklaroi Ivica Cekovski nga organizata qytetare “HOPS”. (koha.mk)