Shkup, 6 dhjetor – Sinoptikët paralajmërojnë ulje edhe më të madhe të temperaturave në ditët e ardhshme. Ulja e termometrit më së shumti ndikon tek njerëzit që nuk kanë kulm mbi kokë. Ata kanë nevojë për përkujdesje urgjente, sidomos gjatë netëve të ftohta. Për këtë qëllim, prej sot e deri në fund të sezonit të dimrit Qendra për të pastrehët në ”Momin Potok” në Shkup do të punojë 24 orë në ditë. Gjatë kësaj periudhe do të angazhohen 40 vullnetarë dhe personeli mjekësor, por njëkohësisht edhe shërbime shtesë patrulluese sociale, që gjatë orëve të natës do të kujdesen që asnjë i pastrehë të mos e kalojë natën në rrugë.
“Në pajtim me paralajmërimet e entit hidrometeorologjik për temperatura më të ulëta, po riorganizohemi me qëllim që personat e pastrehë, të cilët janë në territorin e Qytetit të Shkupit, në mënyrë të kompletuar të kujdesen dhe t’i marrin të gjitha shërbimet. Strehimorja do të punojë 24 orë në tre muajt e ardhshëm”,- u shpreh sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Tuneva – Pauinovska. Qyteti i Shkupit gjatë vitit 2018 kanë ndarë më shumë mjete për këtë punkt për dallim nga vitet e kaluara. “Deri tani Qyteti i Shkupit ka dhuruar 500 mijë denarë për mbështetjen e këtij punkti, desha t’u informoj që këtë shumë e kemi rritur për 30% dhe në buxhetin e vitit 2018 kemi paraparë që kjo mbështetje të tejkalojë vlerën e 700 mijë denarëve”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. Në mënyrë shtesë hapen edhe tre pika rajonale në Strumicë, Strugë dhe Manastir, të cilat do t’u japin mbështetje personave të pastrehë nga pjesët e tjera të Maqedonisë.
“Maqedonia këtë vit e pret e përgatitur për shkak se Shkupi nuk është i vetmi qytet ku kemi të pastrehë, pra pikërisht për këtë në bashkëpunim më Kryqin e Kuq, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe komunat, kemi hapur edhe tre strehimore shtesë në territorin e vendit, të cilat do të funksionojnë si qendra rajonale, dhe ato janë në Manastir, Strugë dhe Strumicë, të njëjtat janë gati me ushqim, rroba dhe krevate”,- u shpreh ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
Gjatë vitit të kaluar, strehimoren në Mumin Potok e kanë shfrytëzuar 54 persona, por qendra ka kapacitet për 90 deri në 120 persona.