Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” në Tetovë do të kërkojë asistencë nga policia e trafikut gjatë vendosjes së bllokuesve dhe largimit të automjeteve nga vendet që nuk janë të destinuara për parkim
Urim HASIPI
Tetovë, 3 dhjetor – Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” ka publikuar risitë për funksionimin e kësaj ndërmarrje. Me këtë rast, prej vitit të ardhshëm do të hyjë në fuqi bileta plotësuese dhe plotësimi i rregullores për vendosjen e bllokatorëve, në vendet që nuk janë të destinuar për parkim. Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrje Igor Dodevski, nëse shfrytëzuesi i vend-parkimit e tejkalon kohën e planifikuar të parkimit dhe të njëjtën nuk e vazhdon, do të marrë gjobë me shkrim. Bëhet fjalë, në rastet e parkimit të automjeteve në vendet e parashikuara për parkimin e automjeteve të personave me nevoja të veçanta nga persona që nuk i përkasin kësaj kategorie, apo shkel kushtet për shfrytëzimin e vendparkimit për të cilin është i detyruar të paguajë biletë shtesë. Sipas drejtorit Dodevski, është ulur dënimi nga 1000 në 750 denarë, nëse dënimi paguhet brenda 24 orëve. “Shuma e biletës plotësuese është përcaktuar në tarifën e Ndërmarrja Publike ‘Parkingu i Qytetit’ – Tetovë dhe do të kushtojë 1500 denarë. Nëse e njëjta paguhet brenda 24 orëve nga dita e lëshimit, do të paguhet vetëm gjysma e vlerës, gjegjësisht 750 den. Nga ana tjetër, nëse bileta plotësuese nuk paguhet brenda 8 ditëve nga dita e lëshimit të shfrytëzuesit të parkingut, do të fillojë procedurë e rikuperimit të borxhit me kosto shtesë që lidhen me pagesën e detyrueshme dhe kamatat e parapara me ligj. Me këtë Tarifë ndryshon edhe tarifa për vendosjen e bllokuesit të rrotave në të gjitha zonat, e cila nga 1000 denarë do të ulet në 750 denarë”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit” Igor Dodevski. Ai më tej u shpreh se risi tjetër është edhe plotësimi i rregullores për vendosjen e bllokuesve të automjeteve në vende që nuk janë të destinuara për parkim. Ky paragraf vlen për të gjitha hapësirat publike nën juridiksionin e Komunës së Tetovës. Këtu përfshihen, rrugët shërbyese dhe banesore në territorin e komunës së Tetovës, trotuaret, parkingjet publike, shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta, sheshet, shëtitoret e ndryshme, tregjet, në pjesët e gjelbra të rrugëve, parqet, hapësirat rekreative si dhe në vende e pjesë të tjera që nuk janë pjesë e parkingut.
Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” në Tetovë do të kërkojë asistencë nga policia e trafikut gjatë vendosjes së bllokuesve dhe largimit të automjeteve nga vendet që nuk janë të destinuara për parkim. Në rast të mungesës së asistencës nga policia e trafikut Parkingu i Qytetit në Tetovë do t’i dorëzojë policisë së trafikut listën e targave të automjeteve të bllokuara dhe të hequra deri në fund të orarit të punës ose më së voni në ditën e ardhshme të punës për veprime të mëtutjeshme dhe që është në kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht Policisë Rrugore Tetovë. (koha.mk)