Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hana Maliar shprehu sot shpresën se trupat ukrainase që u dorëzuan në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol do të shkëmbeheshin me robër rusë, pavarësisht një deklarate të zyrtarit rus, Vjaçesllav Volodin se ata ishin “kriminelë që duhet të sillen para drejtësisë.
Maliar tha se komenti i kryetarit të Dumës Shtetërore Ruse Vjaçesllav Volodin ishte një deklaratë politike, e konceptuar si propagandë e brendshme në përputhje me proceset e brendshme politike të Rusisë.
Ajo shtoi se nga këndvështrimi i Ukrainës, procesi i negociatave dhe vetë operacioni i shpëtimit janë në vazhdim.
Paraprakisht, Volodin i quajti luftëtarët e Azovstalit “kriminelët nazistë”, të cilët duhet të përjashtohen nga çdo shkëmbim i ardhshëm dhe të cilët Rusia duhet t’i sjellë para drejtësisë.