Ujmani, skena ku po maten muskujt e politikës

Në Ujman do të lundrojnë edhe më tej barkat provuese të “peshkatarisë” ballkanike , kurse në Prishtinë e Beograd peshqit e politikës do të mundohen të adaptohen në ujërat e rrëmbyeshëm të ndryshimeve radikale

Nga Emin AZEMI

Presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi, shkoi një hap përtej Vuçiqit. Ai u fut në ujërat e liqenit të Ujmanit, jo për të zënë peshq, por për ti thënë homologut të tij serb se lundrimi në ujërat e Kosovës është sporti më i lirë që po shitet aktualisht në tregun e politikës. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit arriti të mobilizojë një masë të madhe njerëzish për të dëshmuar se “populli është më i fuqishëm se individi”, mirëpo në Kosovë energjia politike po prodhohet edhe atëherë kur mbi Ujman po futen barkat e strategjisë së shpëtimit të moralit publik.
E ndarë në tre tabore, në ata që janë në pushtet, dhe në një opozitë dypjesëshe, Kosova po e vrapon pjesën e fundit të maratonës së ridefinimit të pozicionit të saj në hartën e re të Ballkanit. Në Prishtinë kundërshtarët e Hashim Thaçit ende nuk e kanë lexuar postën e diplomacisë së fshehtë, kurse në Beograd e Tiranë ende po presin të shpalosen edhe më tej qëndrimet e Uashingtonit e Brukselit.
Kosova e Serbia e kanë ndërmend të ndahen paqësisht, duke i lënë njëra tjetrës po aq territore sa do të mjaftonin për të përmbyllur lavditë politike me kompromise e jo me imponime. Në Prishtinë njerëzit me të drejtë druajnë nga tendencat e Beogradit për të përfituar pjesë të asaj që e kishin humbur në vitin 1999. Rikthimi i rajoneve serbe, sidomos në pjesët veriore të Mitrovicës, ku aktualisht adminstrata e Prishtinës nuk ka qasje të drejtpërdrejt, përbën një prej fijeve gati të padukshme të lëmshit të kompromiseve midis Kosovës e Serbisë. Në këtë lëmsh, gjithsesi futen edhe disa rajone të banuara me shqiptarë në Luginën e Preshevës, kurse pëlhura që do të tirret nga ky lëmsh përbën befasinë më të madhe të shekullit. Kjo befasi nuk ka të bëjë vetëm me raportet Kosovë-Serbi, por edhe me një konstelacion më specifik gjeopolitik.
Ndërkohë, Gazeta prestigjioze amerikane Wall Street Journal, ka botuar një raport shumë konfidencial, për të cilin thotë së është baza e planit për korrigjimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë. Arsyeja e këtij plani, sipas memorandumit sekret të draftuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së, është të “garantohet shtetësia e Kosovës”.
Wall Street Journal shkruan se SHBA-ja dhe liderët e Bashkimit Evropian po bashkërendohen drejt mbështetjes së një plani në bazë të të cilit dy vendet e Ballkanit do të rishkruajnë kufijtë e tyre të përbashkët të tensionuar në baza etnike, duke përjashtuar Gjermaninë, fuqinë më me ndikim të kontinentit të vjetër, e cila refuzon këtë qasje, thuhet në këtë dokument konfidencial.
Ndërsa marrëveshja thotë se Evropa dhe SHBA-ja vazhdojnë të punojnë bashkë për së afërmi në iniciativat e politikës së jashtme që prekin rajonin, çarja me Gjermaninë tregon po ashtu gatishmërinë e Uashingtonit për të injoruar kundërshtimet e fuqisë kryesore të kontinentit.
Në këtë dokument, Bashkimi Evropian e shfaq mbështetjen për një plan të përbashkët Kosovë-Serbi, i mbështetur nga administrata e presidentit Donald Trump, për t’i rishkruar kufijtë në Evropën Juglindore si mënyrë për të siguruar shtetësi të plotë për vendin e vogël dhe të bllokuar, Kosovën.
Nëse kjo dështon, sipas këtij memorandumi, vendi me 2 milionë banorë mund të hyjë në kriminalitet, konflikt e në ekstremizëm islamik. Javëve të fundit, sipas The Wall Street Journal, dy vendet kanë diskutuar një plan për të shkëmbyer territor përgjatë kufirit të tyre të përbashkët për të pasqyruar më mirë modelet e zgjidhjes së serbëve dhe shqiptarëve etnikë.
Në Ujman do të lundrojnë edhe më tej barkat provuese të “peshkatarisë” ballkanike , kurse në Prishtinë e Beograd peshqit e politikës do të mundohen të adaptohen në ujërat e rrëmbyeshëm të ndryshimeve radikale. (koha.mk)