Kapiteni shumëvjeçar i Kosovës në futboll, Samir Ujkani, duhet të vendosë se ku do të vazhdojë karrierën. Të enjten mediat italiane kanë njoftuar se portieri Ujkani ka shkëputur kontratën me skuadrën turke, Rizespor. Në të vërtetë Ujkani prej fillimit të vitit nuk ishte në planet e ekipit të parë të Rizesporit, transmeton Koha Ditore, përcjellë gazeta Koha.
Për shkak të përforcimeve të shumta dhe numrit të limituar të të huajve, Ujkani ishte larguar nga ekipi i parë dhe kishte vazhduar stërvitjet me ekipin e dytë. 31-vjeçari para një viti i ishte bashkuar Rizesporit, duke u larguar kështu nga futbolli italian pas një kohe të gjatë.
Në vjeshtën e kaluar ishte rezervist e në pranverë të këtij viti për të nuk pati vend as në stol.
Ka gjasë që Ujkani të kthehet në Itali, por jo në skuadër elitare. Ujkani tashmë ka humbur vendin edhe në portën e Kosovës. Është portier i dytë, pas Arijanet Muriqit.