Problemi me cilësinë ujit tani më një kohë të gjatë është shqetësues në rajonin më të gjerë të Tetovës. Po ashtu nëpër komunat rurale shumë pak bëhen analiza të ujit brenda vitit
Urim HASIPI
Tetovë, 22 shkurt – Uji në pjesën dërmuese të vendbanimeve rurale në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit nuk është i pijshëm. Krahas kësaj, nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë thonë se qytetarët duhet të kenë kujdes edhe me çezmat publike, pasi që edhe të njëjtat, në shumicën e rasteve nuk kanë ujë të pastër për pije. Mjeku Ratko Davidovski, nga ky institut, thotë se nga kontrollet që janë bërë, në 51 për qind të rasteve, uji nuk ka patur pastërtinë e duhur për tu konsumuar. “Shifrat janë shumë të lartë, mirëpo nuk kemi sëmundje epidemiologjike. Në strukturën e këtyre rezultateve dominojnë bakteret koliform, që nuk janë nga bakteret fekale dhe këto dominojnë në 65 për qind, por ky është një indikator se diçka mund të ndodhë dhe se duhet të merren masa. Unë shpesh herë kam potencuar se duhet të dezinfektohen dhe mirëmbahen rrjetet e ujësjellësve në këto vendbanime, sepse ka raste ku vet banorët kujdesen dhe nuk bëjnë si duhet dezinfektimin e ujit”, theksoi për gazetën KOHA, Davidovski.
Por ajo që është brengosëse në fshatrat e komunave të Pollogut, është se pjesa dërmuese nuk kanë ujë të mjaftueshëm, dhe shpesh herë përdorin ujin e lumenjve. “Më shumë problem kanë ato vendbanime, të cilat ende me ujin menaxhon bashkësia lokale dhe jo komuna. Në këto vendbanime nuk dihet se a bëhet dezinfektimi që përfshinë edhe hedhjen në kohë të klorit dhe normalisht mirëmbajtja e ujit. Po ashtu në këto vendbanime gjatë kohës se verës, kur nuk ka ujë të mjaftueshëm, kyçet edhe uji nga lumi dhe atëherë uji më shumë është i ndotur”, tha Ratko Davidovski, specialist në qendrën për shëndet publik në Tetovë.
Vitin e kaluar nga analizat që tregon mjeku Davidovski, del se rreth 70 për qind e fshatrave në Komunën e Tetovës si dhe komunat rurale, ujin e kanë patur jo të pijshëm. “Në komunat jashtë qytetit, në përgjithësi kemi gjendje të rëndë të ujit për pije. Kemi të dhëna për çdo fshat veç e veç. Uji është i papastër për tu pirë. Nga analizat që i kemi bërë, rezultatet tregojnë se 68 për qind e uji në vendbanimet jashtë qytetit, në aspektin mikrobiologjik nuk është i sigurtë. Po ashtu uji nuk është i sigurt edhe në aspektin fiziko-kimik”, tha Davidovski.
Nga Qendra për Shëndet publik në Tetovë thonë se Qeveria brenda një viti ndan mjete që gjashtë herë në vit të bëhen analiza, kurse që rezultatet të jenë gjithmonë të sakta, duhet që të bëhen 12 analiza brenda vitit. Sipas mjekëve në këtë qendër, ata kryejnë analiza në 92 fshatra në rajonin e ish Komunës së Tetovës. “Ne ndotim ujin vetë, me pakujdesinë tonë. Shpeshherë hasim kapakët e rezervuarëve të hapura, hasim në kaptazhe të mbushura me gjethe, dhe prania më e vogël e një gjethi në uji për një kohë të shkurtë krijon baktere. Me rëndësi është që të mirëmbahen rrjetet e ujësjellësit, ndërsa pjesa më e madhe e ujësjellësve në Tetovë janë mirë të ndërtuar, por kur nuk kujdesemi, mundësia e ndotjes së ujit është e madhe”, thekson Davidovski.
Problemi me cilësinë e ujit tani më një kohë të gjatë është shqetësues në rajonin më të gjerë të Tetovës. Po ashtu nëpër komunat rurale shumë pak bëhen analiza të ujit brenda vitit. (koha.mk)