Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë pohojnë se përderisa analizat e Qendrës tregojnë se uji mund të konsumohet, atëherë nuk ka vend për panik
Urim HASIPI
Tetovë, 9 tetor – Uji i pijshëm në Tetovë sërish kundërmon erë jo të këndshme. Krahas erës, poashtu edhe shija e ujit ka ndryshuar. Këtë e pohojnë qytetarët e Tetovës, të cilët janë shprehur të shqetësuar për këtë dukuri e cila përsëritet edhe këtë vit. Kjo dukuri ka filluar prej të dielës pasdite dhe ka vijuar edhe gjatë ditës së hënë, shkruan gazeta KOHA.
“Uji prej mbrëmë ka një shije ndryshe nga ajo që është e zakonshme. Nuk kemi konsumuar prej mbrëmë dhe derisa të pastrohet, nuk do ta shfrytëzojmë për pije. Kemi frikë, sepse kjo dukuri tashmë ndodh shpeshherë, sidomos gjatë vjeshtës dhe presim të përmirësohet gjendja dhe pastaj të konsumojmë”, thotë Enisi, një banor i Tetovës. Përndryshe, uji nga ujësjellësi i Tetovës është i pijshëm. Të gjitha analizat e deritanishme të realizuara nga ana e Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë kanë treguar se uji i plotëson të gjitha kriteret dhe është i sigurt për pije. Sipas mjekëve në këtë qendër, edhe në kohën kur kishte ndryshime në shijen e ujit, parametrat kanë qenë të mira. Sipas mjekëve në Qendrën për Shëndet Publik në Tetovë, edhe analizat shtesë të bëra tregojnë se uji është i sigurt për pije në Tetovë.
“Nëse kemi informata se uji është i sigurt dhe nuk ka erë dhe shije të mirë, atëherë mundet edhe të mos e konsumoni dhe të shfrytëzoni ujë të ambalazhuar, por ka edhe të atillë që nuk e ndjejnë ndryshimin e shijes dhe e konsumojnë”, thotë për KOHA, Ratko Davidovski, mjek. Dyshimet e Davidovskit janë se ndryshimi i shijes në disa raste para disa muajve kishte të bëjë me rënien e gjetheve në ujërat sipërfaqësor, por e njëjta nuk është e dëmshme për shëndetin.
Deri në këtë përfundim ka ardhur si pasojë e analizave të bëra edhe në këta ujëra sipërfaqësorë dhe në disa vende të ujësjellësit. “Nga përvoja jonë mund të them se ndryshimi ka ardhur si pasojë e lëshimit të ujit nga lumenjtë në Leshnicë dhe lumit Shkumbin në ujësjellësin e ri. Ky ujë përmes stacionit të filtrimit kyçet në ujësjellës. Mendimi jonë është se do të duhen të bëhen analiza shtesë të pranisë së algave, apo gjallesave tjera, por në këtë kohë ka edhe rënie të gjetheve të cilët ne dyshojmë se mund të shkaktojnë ndryshimin e shijes dhe erës së ujit”, thotë mjeku Ratko Davidovski. Ai shprehet se duhet të merren masa shtesë për pastrimin e ujit dhe të bëhen kontrolle të kualitetit të ujit që të mos vijë sërish deri tek ndryshimi i shijes dhe erës.
Problemi me cilësinë e ujit tanimë një kohë të gjatë është shqetësues në rajonin më të gjerë të Tetovës. Po ashtu, nëpër komunat rurale shumë pak bëhen analiza të ujit brenda vitit. Nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë thonë se Qeveria brenda një viti ndan mjete që gjashtë herë në vit të bëhen analiza, kurse që rezultatet të jenë gjithmonë të saktë – duhet që të bëhen 12 analiza brenda vitit. Sipas mjekëve në këtë qendër, ata kryejnë analiza në 92 fshatra në rajonin e ish-komunës së Tetovës.
“Maqedonia ka ujë të pijshëm cilësor, por uji ndotet si rezultat të problemeve me zonat e pambrojtura dhe mungesës së dezinfektimit. Ne ndotim ujin vetë, me pakujdesinë tonë. Shpeshherë hasim kapakët e rezervuarëve të hapura, hasim në kaptazhe të mbushura me gjethe, dhe prania më e vogël e një gjethi në uji, për një kohë të shkurtë krijon baktere. Me rëndësi është që të mirëmbahen rrjetet e ujësjellësit, ndërsa pjesa më e madhe e ujësjellësve në Tetovë janë mirë të ndërtuar, por kur nuk kujdesemi – mundësia e ndotjes së ujit është e madhe”, thekson Davidovski.
Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se ata qytetarë që hezitojnë të konsumojnë ujin mund të shfrytëzojnë ujë të ambalazhuar, por uji në Tetovë është i konsumueshëm. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë pohojnë se përderisa analizat e Qendrës tregojnë se uji mund të konsumohet, atëherë nuk ka vend për panik. Përndryshe, tetovarët furnizohen me dekada të tëra me ujë nga Mali Sharr, i cili edhe pse nuk ka qenë i mjaftueshëm për nevojat e tetovarëve, megjithatë ka qenë i pastër. (koha.mk)