Problemi kryesor aktualisht është mos respektimi i masave mbrojtëse nga ana e një numri të theksuar të të rinjve që freskohen në liqe. Institucionet kompetente shëndetësore në Dibër apelojnë tek personat që rekreohen dhe lahen në liqenin e Dibrës të mbajnë distancën fizike dhe të mbajnë maskat, kurse objektet shërbyese të respektojnë protokollet
Vjollca SADIKU
Dibër, 7 gusht – Edhe këtë verë, edhe pse kemi pandeminë e Kovid-19, të rinj dibran, por jo vetëm ata, masovisht shfrytëzojnë ujin e liqenit të Dibrës për freskim. Këto ditë, në liqenin e Dibrës qysh nga mëngjesi e deri në mbrëmje në lokacionet e plazhit freskohen një numër i madh i dibranëve, por edhe të rinj mysafirë nga Shkupi, Tetova, Gostivari dhe qytete të tjera të vendit. Duke marrë parasysh faktin se jetojmë në situatë të pandemisë, pjesa më e madhe e dibranëve nuk shfrytëzojnë pushimet verore jashtë vendit, por rekreohen në bregun e liqenit, ku përveç ujit – ka edhe objekte shërbyese. Pothuajse çdo ditë e sidomos gjatë vikendeve, numri i pushuesve është shumë i madh.
Institucionet kompetente thonë se këtë verë, uji i liqenit është i pastër dhe pa probleme mund të shfrytëzohet për larje. Nga Qendra për shëndet publik në Ohër, e cila mbulon me aktivitetet të saj komunat Ohër, Strugë dhe Dibër dhe disa komuna të tjera rurale, thonë se uji i liqenit të Dibrës i plotëson tërësisht kushtet për larje, rekreim dhe sport. Drejtori i kësaj Qendre, Sasho Toçko, ka deklaruar se gjatë analizave që i janë bërë ujit të liqenit të Dibrës, edhe atë në pesë lokacione, uji ka rezultuar i klasit të parë dhe klasit të dytë. Sipas tij, kjo do të thotë se uji është i pastër dhe pa probleme mund të shfrytëzohet për larje, rekreim dhe sportim. Ai ka shtuar se si në aspektin biologjik, ashtu edhe në aspektin kimik dhe fizik, uji ka dalë i klasit të parë dhe të dytë.
Në liqenin e Dibrës uji për analiza merret edhe tek lokacioni i plazheve që do të thotë plazhistët atë mund ta përdorin pa probleme. Ka patur disa vite më parë edhe probleme të tjera kur uji i plazhit ka qenë i klasit 3, 4 dhe 5, që do të thotë se nuk ka qenë i lejuar për rekreim dhe larje. Përndryshe, bregu i liqenit ka vizitorë të shumtë edhe gjatë orëve të mbrëmjes meqë ka objekte të shuma shërbyese, të cilët ofrojnë mundësi për të kaluar një mbrëmje të bukur në këto ditë me temperatura të larta madje deri më 40 gradë celsius.
Problemi kryesor aktualisht është mos respektimi i masave mbrojtëse nga ana e një numri të theksuar të të rinjve që freskohen në liqe. Institucionet kompetente shëndetësore në Dibër apelojnë tek personat që rekreohen dhe lahen në liqenin e Dibrës të mbajnë distancën fizike dhe të mbajnë maskat, kurse objektet shërbyese të respektojnë protokollet. Vlerësimet e Njësisë së Qendrës për Shëndet Publik në Dibër janë se pikërisht mosrespektimi i masave për mbrojtje nga Kovid-19 në liqen, ka rritur numrin e të sëmurëve nga koronavirusi në Dibër. (koha.mk)