Në ndërkohë nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova – Tetovë, janë shprehur se tashmë kanë filluar me kontrollet nëpër auto larje me qëllim që uji të mos keqpërdoret. Sipas kreut të kësaj ndërmarrje, qytetarët kanë opsione tjera që të furnizohen me ujë teknik për larje të automjeteve dhe ujitje. Banorët janë shprehur se nëse nuk merren masa konkrete atëherë do të bllokojnë rrugën Tetovë – Jazhincë
Urim HASIPI
Tetovë, 16 gusht – Mbi 50 banorë të lagjes Drenovec 2 në Tetovë ankohen se gati 20 vite kanë probleme me ujin e pijshëm. Kjo situatë paraqitet gjatë ditëve të verës, kur temperaturat janë të larta. Ata thonë se uji keqpërdoret nga banorët e një lagje më poshtë, që ndodhet përgjatë rrugës rajonale Tetovë – Jazhincë. Sot këta banorë të revoltuar kanë strehuar revoltën e tyre për shkak të mungesës së ujit, si nevojë elementare. Sipas tyre, banorët ujisin parqet, dhe kjo shkakton mungesë të ujit, shkruan gazeta KOHA.
“Mendoj që sipas ligjit, të gjithë duhet të jemi të barabartë. Të gjithë paguajmë taksa njësoj, kurse ne jemi pa ujë, ata kanë. Të gjitha këto pjesë lartë janë me hidroforë. Tash në verë këto dy muaj apo tre, nuk vjen hiç uji. Shkojnë njerëzit mbushin, furnizohen prej atje poshtë. Jemi ankuar kështu disa nga ne, madje dhe disa herë shkresë kemi dërguar, bëmë një peticion më 16 maj dhe janë bërë tre muaj dhe asnjë zgjidhje. Kjo pjesa lartë ka 50 shtëpi, prej rrugës së Gjermës lartë jemi pa ujë, duhet të merren masa, te dalin në terren dhe ta shohin kush e keqpërdor ujin”, tha Zeqir Jakupi, banor i kësaj lagje.
Ata më tej janë shprehur se nuk kërkojnë para por vetëm ujë të pijshëm. “Ne nuk kemi ujë, ngrohet pak koha ne s’kemi ujë, mendoj që është keqmenaxhim, kemi familjarë poshtë që mbjellin dhe ujisin në oborre, kurse ne s’kemi ujë, d.m.th ujë ka, por është keqmenaxhim. Shkojmë mbushim tek xhamia poshtë, presim rend të mbushim ujë për pije, ndoshta 20 vjet ka që s’kam ujë, kërkesa jonë është që të kemi ujë të pijshëm për gjerat elementare, edhe ne jemi qytetarë të këtij shteti, i paguajmë taksat. Si ai që ka ujë, dhe si ne që s’kemi ujë i paguajmë taksat e njëjta. Duhet të merren masa, nëse nuk merren masa do e bllokojmë rrugën, do të protestojmë para komunës, ujë duam ne, nuk duam para të na japin, ujë duam”, tha Shaip Kamberi , banor i lagjes Drenovec 2.
Në ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova – Tetovë janë shprehur se tashmë kanë filluar me kontrollet nëpër auto larje me qëllim që uji të mos keqpërdoret. Sipas kreut të kësaj ndërmarrje, qytetarët kanë opsione tjera që të furnizohen me ujë teknik për larje të automjeteve dhe ujitje. “Nuk është e vërtetë që nuk kanë ujë që 20 vite. Mund të ndodhë se në këto temperatura ankohen banorët për shkak të mos menaxhimit të ujit të pijshëm për shkak të temperaturave të larta. Ne ua kemi tërhequr vërejtjen dhe pastaj do të ketë dënime për ata që e keqpërdorin ujin, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që uji duhet të përdoret vetëm për pije dhe për gjera të tjera. Të gjithë qytetarët që kanë nevoja të tjera, ju lutem që të përdorin ujin teknik, ujin falas që ndodhet tek rrethi i Teteksit. Paralajmëroj qytetarët që të mos keqpërdorin ujin e qytetit, ujin e pijshëm sepse ai ujë përdoret edhe për qytetarët që e paguajnë ujin për pije, dhe jo që ata ta harxhojnë, prandaj duhet të keni mirëkuptim”, tha drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka.
Banorët janë shprehur se nëse nuk merren masa konkrete, atëherë do të bllokojnë rrugën Tetovë – Jazhincë. (koha.mk)