“Edhe pse gjatë vitit bëhet intervenim në sistemin e ujësjellësit brenda në qytet, megjithatë një rikostruim i tërësishëm kushton shumë, prandaj edhe kërkohet mbështetja e Qeverisë. Për një projekt të tillë është më se patjetërsueshme mbështetja nga qendra dhe hap pas hapi të bëhet ndërrimi i rrjetit të brendshëm. Kjo me siguri kushton rreth 20 milionë euro, kurse komuna nuk mund ti sigurojë”, deklaroi Bojovski
Urim HASIPI
Tetovë, 10 gusht – Një sistem tepër i vjetër i ujësjellësit dhe rrjetit shpërndarës të ujit në Tetovë tashmë po nxjerr në pah pasojat e mëdha për furnizim normal më ujë të pijshëm në këtë qytet. Sipas të dhënave që jepen nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë, sistemi i parë për furnizim me ujë të pijshëm nga Mali Sharr deri në Tetovë dhe sistemi shpërndarës janë ndërtuar në vitin 1930. Kjo nënkupton grumbullimin e ujërave nga Mali Sharr në ujësjellësin kryesor dhe sjellja e ujit deri në rezervuarin e qytetit, si dhe një rrjet shpërndarës nëpër qytet në një gjatësi prej 30 kilometrave. Ky sistem edhe sot e kësaj dite është tërësisht në funksion. Problemet që shfaqen në rrjetin shpërndarës janë reale dhe ndodhin që nga vitet ’90-ta e këndej, kurse në vitet e 70-ta është rregulluar sistemi i ri shpërndarës brenda në qytet. Kështu thotë Borçe Bojovski, udhëheqës i Njësisë “Kanalizimi dhe Ujësjellësi”, pranë Ndërmarrjes Publike komunale “Tetova”.
“Problemet me ujin e pijshëm për furnizim të qytetit të Tetovës datojnë që nga vitet e 90-ta e këndej, pikërisht njëherë për shkak të mungesës së ujit dhe më pas për shkak të rrjetit të vjetruar të sistemit distributiv të ujit brenda në qytet. Kemi të bëjmë me një sistem të vjetër 90 vjeçar dhe prej atëherë është në trend zhvillimi demografik i qytetit dhe rritja demografike e qytetit duhet patjetër të ndiqet edhe në aspektin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit. Në këtë drejtim është punuar mirë, sepse janë siguruar sasitë e nevojshme të ujit për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, por duhet që të ndërrohen gypat në rrjetin e brendshëm që janë të vjetër 50 vite apo 70 vite. Këtu kemi ngecje, sepse për këtë punë nevojiten shumë mjete dhe punë të mëdha, ku duhet që të gropohet nëpër rrugë, nëpër pjesët urbane, trotuare e kështu me radhë”, tha Bojovski.
Gjendja momentale me ujin e pijshëm në Tetovë është e mjaftueshme, pohon udhëheqës i Njësisë “Kanalizimi dhe Ujësjellësi”, pranë Ndërmarrjes Publike komunale “Tetova”. Sipas tij, ka ujë të mjaftueshëm në burime, por problem në vete se shumë ujë humbet pikërisht për shkak të defekteve në rrjetin shpërndarës. “Aktualisht kemi ujë në burime më shumë se sa i nevojitet qytetit tonë. Ka rreth 500 litra ujë në sekondë dhe kjo sasi është e madhe për qytetin e Tetovës. Por ka paraqitje të dukurisë së mos shfrytëzimit racional të ujit nga ana e qytetarëve dhe gjatë kohës kur ka rritje të temperaturave, duhet medoemos që uji të kursehet. Nga ana tjetër, gypat kryesor janë të mirë brenda në qytet, sepse materiali është i mirë dhe i qëndrueshëm i atyre gypave. Problemet na shfaqen nëpër gypat më të vogël që nuk mund të rezistojnë kur ka shtypje të ujit në sasi më të madhe. Prandaj duhet një rikostruim i tërësishëm i rrjetit të brendshëm në qytet i të ujësjellësit”, thotë ai.
Nga kjo ndërmarrje sigurojnë se edhe cilësia e ujit është shumë e mirë. Por, edhe pse gjatë vitit bëhet intervenim në sistemin e ujësjellësit brenda në qytet, megjithatë një rikostruim i tërësishëm kushton shumë, prandaj edhe kërkohet mbështetja e qeverisë. “Për një projekt të tillë është më se patjetërsueshme mbështetja nga Qeveria dhe hap pas hapi të bëhet ndërrimi i rrjetit të brendshëm dhe kjo me siguri kushton rreth 20 milionë euro, kurse komuna nuk mund ti sigurojë”, deklaroi Bojovski. Sipas standardeve evropiane, qytetit të Tetovës i mjaftojnë rreth 300 litra ujë në sekondë që të furnizohet normalisht, por harxhimet gjatë verës tejkalojnë edhe 500 litra ujë në sekondë, për shkak të mos shfrytëzimit racional të ujit, i cili jo gjithmonë përdoret për konsumim dhe pastrim, por edhe për ujitje të parqeve dhe rrugëve. (koha.mk)