Ujësjellësi në Shemshovë dhe Zhilcë është gati

Kostadinoski tha se ditëve në vijim do të vizitojë vendbanimet e komunës me qëllim që të bisedojë për qytetarët për nevojat e tyre që më pas të krijohet buxheti për vitin e ardhshëm. Krahas kësaj, do të ketë edhe ditë të hapura për qytetarët

 

Urim HASIPI

Tetovë, 5 dhjetor – Kryetari i Komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinoski thotë se edhe përskaj krizës ekonomike, një pjesë e premtimeve tashmë janë realizuar, kurse ka projekte që janë në realizim e sipër. Sipas tij, tashmë është gati edhe ujësjellësi për fshatrat Zhilcë dhe Shemshovë. “Një nga projektet më të rëndësishme është projekti për furnizim me ujë të pijshëm për vendbanimet Zhilcë dhe Shemshovë, që është në fazën përfundimtare dhe presim që ditën e hënë EVN të bëjë kyçjen e rrymës elektrike dhe të vihet në funksion ujësjellësi për dy vendbanimet Zhilcë dhe Shemshovë”, tha Kostadinoski.

Advertisements

Lidhur me problemin me ujin e pijshëm në fshatin Kopanicë, kryetari aktual, akuzon ish-kryetarin se pas mbylljes së ndërmarrjes publike që ka menaxhuar me ujin, qytetarët nuk kanë shlyer borxhin ndaj ujit të shfrytëzuar, kurse me këtë nuk është mundur të paguhen faturat e rrymës që është shfrytëzuar për këtë ujësjellës. Kohë më parë banorët e fshatit Kopanicë, janë ankuar se kanë mungesë të ujit të pijshëm. Por Kostadinovski thotë se banorët nuk i paguajnë faturat e ujit, ndërsa komuna nuk ka mjete të mjaftueshme për të paguar rrymën dhe të sanojë defektin tek pompa.

Sipas kryetarit Dimitar Kostadinoski, komuna çdo muaj merr fatura të rrymës nga 2500 deri në 3000 euro, ndërsa pagesat e faturave nga qytetarët janë shumë të vogla.“Në këtë rast problemi nuk është tek Komuna e Jegunocit, por tek banorët e atij vendbanimi, respektivisht Kopanicë, sepse ata kanë humbur hapin për të paguar faturat e ujit dhe kjo është bërë problem. Për momentin në këtë fshat ka ujë, por banorët refuzojnë që të bashkëpunojnë me ndërmarrjen publike dhe shpresoj se deri në mars apo prill ky problem do të tejkalohet. Tash, fshati furnizohet nga ujësjellësi për në Jegunocë dhe plotëson nevojat e shumë fshatrave. Kur të rritet harxhimi i ujit gjatë muajve të verës, deri atëherë shpresoj të gjejmë zgjidhje me këta banorë për shlyerjen e borxhit”, tha Kostadinoski.

Ai tha se ditëve në vijim do të vizitojë vendbanimet e komunës me qëllim që të bisedojë për qytetarët për nevojat e tyre që më pas të krijohet buxheti për vitin e ardhshëm. Krahas kësaj, do të ketë edhe ditë të hapura për qytetarët. Këto komente, kryetari i Komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinoski i ka bërë gjatë prezantimit të punës së tij 365 ditë pas marrjes së detyrës. Ndonëse me shumë probleme, kriza ekonomike, energjetike dhe lufta në Ukrainë janë duke përcjellur vitin 2022, nga Komuna e Jegunocit thonë se kanë arritur që me sukses të tejkalojnë vështirësitë dhe komuna të jetë në kondicion të volitshëm financiar. (koha.mk)