Driton ZENKU
Gostivar, 15 shkurt – Sistemi i ujësjellësit në qytetin e Gostivarit daton nga koha e sistemit të kaluar monist, shkruan gazeta KOHA. Si i tillë, vazhdon të sjell probleme me paraqitjen e vazhdueshme të defekteve si pasojë е plasaritjes së gypave. Defektet e vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme vështirësojnë punën e Ndërmarrjes Publike Komunale si në aspektin financiare, ashtu edhe në aspektin kohor, por mbi të gjitha koston më të lartë e mbajnë qytetarët të cilëve u pamundësohet furnizimi i rregull me uji për pije, si një nga nevojat elementare dhe jetike. Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale, Memedali Xhaferi thotë se me problem të tilla po përballen thuajse çdo ditë, por shpreh bindjen që ky problem do të jetë i tejkaluar me realizimin e projektit për përmirësimin e furnizimit të Gostivarit me ujë të pijshëm dhe që financohet nga Qeveria e Zvicrës. Faza e parë e projektit është në vijim e sipër, kurse pritet të realizohet edhe faza e dytë. “Përmirësimi i furnizimit të Gostivarit me ujë të pijshëm është i financuar nga ndihma financiare, sipas marrëveshjes ndërmjet Qeverise së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane. Përfituesi i drejtpërdrejtë është Ndërmarrja Publike dhe Komuna e Gostivarit ndërsa përfitues indirekt janë banorët që shfrytëzojnë shërbimet e ujit të pijshëm në Komunë. Shpenzimet totale për punët dhe shërbimet kryesisht paguhen nga SECO (90%) 2.500.000 franga, ndërsa pjesën e mbetur si kontribut me 260.000 franga Komuna e Gostivarit dhe Ndërmarrja Publike Komunalec”, thotë për KOHA, drejtori Xhaferi.
Projekti filloi më Shtator të vitit 2013. Qëllimi kryesor i projektit është themeluar për të dhënë kontribut në zhvillimin e qëndrueshmërisë së rajonit të Gostivarit, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të jetesës së popullatës dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Kjo do të sigurojë kushte të shëndetshme të jetesës dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik të rajonit. Projekti përfshin dy komponentë, harduer dhe softuer. Në të parën janë paraparë ndërtimi i gypit të ujësjellësit të ndërsjellë, ujëmatësit në rrjetin kryesor të ujësjellësit, ndërtimi i rezervuarve të ri të ujit të pijshëm, si dhe mbrojtja e burimeve. Të gjitha punët janë duke u kryer në terren, ndërkohë që komponenta softuer parasheh përpilimin e Master Planit të ujit të pijshëm – i përfunduar dhe pranuar tashmë nga Komiteti drejtues si dhe i aprovuar nga Këshilli Komunal i Komunës së Gostivarit. Projekti i dytë po ashtu financohet nga Qeveria e Zvicrës dhe Banka KFW” nga Gjermania “Furnizimi me ujë për Gostivarin, Sistemi i II-të”. “Fondet për Komunën e Gostivarit për fazën e dytë do të jenë të kombinuara edhe atë grant nga SECO Qeveria e Zvicrës 5 milionë franga, KFW Gjermane 1.950.000 euro dhe kontribut nga vetë Komuna e Gostivarit dhe NP Komunalec 682.000 euro. Investimi komplet për fazën e dytë arin vlerën prej 7.132.000 euro dhe parashihen të realizohen 17 linja të reja të ujësjellësit, 3 rezervuar të ujit për pije, si dhe blerja e pajisjeve të pjesëve të reja për sistemin ujësjellësit”, shton Xhaferi. Ndryshe, gjatësia e rrjetit të ujësjellësit është rreth 45 km. Brenda këtij viti, pritet të fillon ndryshimi i gypit në rrjetin kryesor nga fshati Vërtok drejt qytetit. Rrjeti është ndërtuar para 40 viteve ndërsa materiali i gypave është kryesisht me gypa prej azbesti-çimento, 23 km prej PVC-së, ndërsa ka edhe gypa të çelikut dhe të cinguara. Numri i kyçjeve në rrjetin e ujësjellësit gjegjësisht numri i ujëmatësve është gati 18 mijë përfshi këtu amvisëritë dhe sektorin afarist.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.