Urim HASIPI
Tetovë, 4 nëntor – Gati se dy javë uji i pijshëm në Tetovë ka shije dhe erë tjetër nga ai që ishin mësuar qytetarët më herët të konsumonin. Së këndejmi, kjo ka bërë që qytetarët të kenë frikë për të konsumuar ujin që rrjedh në çezmat e tetovarëve, shkruan gazeta KOHA. Ata druajnë se uji me shije dhe erë tjetër të pakëndshme, mund edhe të jetë i përhershëm, por kohëve të fundit, sipas informacioneve jozyrtare, është rritur dukshëm blerja e ujit të ambalazhuar në shitore dhe markete në Tetovë.
“Kohëve të fundit me shumë blejmë ujë të ambalazhuar se sa të përdorim ujin nga çezma në shtëpi, i cili ka një erë dhe shije të pakëndshme. Prandaj, edhe gjithnjë blejmë ujë nga shitorja e lagjes, sepse kemi dyshime”, thotë Bekimi, një banorë i Tetovës.
Përgjegjësit e arsyetojnë panikun dhe shqetësimin e banorëve të Tetovës, që ka të bëjë me ujin e pijshëm. Por, Ata thonë se megjithatë vend për panik nuk ka, sepse të gjitha analizat tregojnë se uji edhe në aspektin fizik dhe bakteriologjik është i pijshëm. Sipas mjekëve, në Qendrën për shëndet publik në Tetovë, edhe analizat shtesë të bëra tregojnë se uji është i sigurt për pije në Tetovë.
“Nëse kemi informata se uji është i sigurt dhe nuk ka erë dhe shije të mirë, atëherë mundet edhe të mos e konsumoni dhe të shfrytëzoni ujë të ambalazhuar, por ka edhe të atillë që nuk e ndjejnë ndryshimin e shijes dhe e konsumojnë”, thotë Ratko Davidovski, mjek.
Ai apelon që NPK-ja në Tetovë të ndërmerr masa shtesë dhe serioze që të zbulojë se çka e ka shkaktuar ndryshimin e shijes së ujit. Nëse ekzistojnë dyshime se ka ndryshuar shija e ujit nga këto që themi, atëherë ekziston metodë ku mund të largohet kjo që është shkaktuar dhe uji të kthehet në normalitet. Ai dyshon se ndryshimet në shijen dhe erës së ujit vjen nga lëshimi i ujit në ujësjellësin e ri, i cili furnizohet nga ujërat në Malin Sharr.
“Nga përvoja jonë mund të them se ndryshimi ka ardhur si pasojë e lëshimit të ujit nga lumenjtë në Leshnicë dhe Lumi Shkumbin në ujësjellësin e ri. Ky ujë përmes stacionit të filtrimit kyçet në ujësjellës. Mendimi ynë është se do të duhen të bëhen analiza shtesë të pranisë së algave, apo gjallesave tjera, por në këtë kohë ka edhe rënie të gjetheve, të cilët ne dyshojmë se mund të shkaktojnë ndryshimin e shijes dhe erës së ujit”, thotë mjeku Ratko Davidovski.
Ndërkaq, një ditë më parë me komunikatë, pas heshtjes së gjatë, ka dalë edhe Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë.
“Sipas rezultateve nga analizat e kryera nga Instituti për shëndet publik –Shkup, ju njoftojmë se uji nga ujësjellësi i qytetit të Tetovës është sipas kushteve të parapara me Rregulloren për sigurinë e ujit për pije (Gazeta Zyrtare e RM-së nr.46/08). Uji po ashtu është i pastër sa i përket gjendjes së tij mikro-biologjike, kimike dhe fizike dhe është i sigurt për pije”, njoftojnë nga NPK-ja.
Përndryshe, tetovarët furnizohen me dekada të tëra me ujë nga Mali Sharr, i cili edhe pse nuk ka qenë i mjaftueshëm për nevojat e tetovarëve, megjithatë ka qenë i pastër. Para një muaji kur u lëshua në përdorim ujësjellësi i ri, i cili me ujë furnizohet nga Lumi Shkumbin dhe Leshnicë, me ç`rast qyteti ka edhe 200 litra ujë shtesë, megjithatë pas normalizimit të gjendjes me ujin, tetovarët tashmë përballen me këtë dukuri. (koha.mk)