Të gjithë prisnin me padurim rikthimin në fushë të tenistes amerikane Serena Uilliams, që në shtator të vitit të kaluar u bë nënë, por ish-numri 1 në botë ka vendosur të mos luajë në grand slemin e “Australian Open”. Për pasojë, motra e vogël Uilliams nuk do ta mbrojë titullin e fituar një vit më parë. Edhe pse Serena luajti në një turne “show” në Abu Dabi më 28 dhjetor, ajo ende nuk është gati për të përballuar një turne të madh. Vetë Serena Uilliams ka pranuar se nuk është në kushtet optimale për të zhvilluar një turne të tillë të vështirë. “Pas ndeshjes në Abu Dabi kuptova se nuk jam gati edhe pse gradualisht po i afrohem formës time. Por nuk jam 100% dhe nuk dua të luaj sa për të kaluar radhën. E ndiej që jam gati për të luajtur, por nuk dua vetëm të luaj, dua të fitoj ndaj më duhet ende edhe pak kohë për ta realizuar këtë gjë, tha Serena Uilliams.