Një fillim sezoni për tu konsideruar pozitiv, ky për Inaki Uilliams pavarësisht se nuk ka mundur ende të gjejë golin personal. Spanjolli në fakt po performon paraqitje më shumë se pozitive me Atletik Bilbao, aq sa shumë klube elitare në Evropë, si Liverpul dhe Borussia Dortmund, por edhe nga Italia me Milani e Interi, po gjurmojnë futbollistin me shumë vëmendje, duke planifikuar një tentativë të mundshme për blerjen e tij. Një blerje që nuk do të ishte aspak e lirë, krejt e kundërta, teksa klauzola e shitjes së tij është sigluar në kuotën e 50 milionë euro.
Në një intervistë dhënë për spanjollen “AS”, Uilliams nuk tërhiqet pas, kur bëhet fjalë për një transferim potencial. “Më lumturon fakti që skuadra kaq të rëndësishme mund të jenë të interesuara për mua dhe më kënaq edhe më shumë fakti që mund të jem i lidhur me ato në të ardhmen. Do të thotë që po punoj mirë. Nuk e di se sa vlej, presidenti ka vendosur klauzolën prej 50 milionë euro, por ajo që duhet të ndodhë do të ndodhë”, deklaroi futbollisti spanjoll.