Shkupi që në vitin 2008 kishte rënë dakord që vendi të ndryshojë emrin e vet në Republika e Maqedonisë Veriore, me kusht që ajo përfshijë njohjen e gjuhës “maqedonase” dhe kombësinë, theksohet në dokumentin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup, të cilin e kishte publikuar Uikiliks, raporton gazeta KOHA.
Dokumenti konfidencial i titulluar “Çka duhet të bëjnë maqedonasit për të zgjidhur kontestin e emrit “, daton që nga 29 korriku i vitit 2008, ndërsa ishte i përpiluar nga ambasadorja e atëhershme amerikan në Shkup, Xhillian Milovanoviç.
Dokumenti ka treguar se objektivat e Maqedonisë nuk kanë ndryshuar shumë në këto dhjetë vitet e fundit dhe në një farë mase janë arritur në marrëveshjen greko-maqedonase në qershor të këtij viti.
Në pjesën e parë të dokumentit theksohet se Milovanoviç ka paraqitur konkluzionet e saj, pas bisedimeve me presidentin dhe kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë, Branko Cervenkovski dhe Nikolla Gruevski, duke shtuar se cilat kushtet do të ishin të pranueshme për vendin.
“Ambasada e SHBA-ve në Shkup konsideron se Qeveria maqedonase është e gatshme në mënyrë që të hapë rrugën për në NATO dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian është dakord të prezantohet me emrin Republika e Maqedonisë Veriore në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e Ambasadës së SHBA-së në Maqedoni.
Gjithashtu, dokumenti ka shtuar se që kombësia dhe gjuha duhet të mbajnë mbiemrit “maqedonas”, por se ajo të trajtohet me kujdes, ndoshta në formën e një shtojce ose një dokument të brendshëm të OKB-së, që nuk do të ishte subjekt i miratimit nga ana greke, transmeton portali grek. (koha.mk)