Uganda do ta shqyrtojë mundësinë e ofrimit të azilit për liderin sudanez të rrëzuar nga pushteti, Omar al-Bashir, me gjithë aktakuzën ndaj tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), ka deklaruar të mërkuren Ministri i Jashtëm i këtij shteti.
“Uganda është e gatshme ta marrë parasysh kërkesën e Bashirit”, ka thënë Okello Oryem, ministri shtetëror ugandas për Punë të Jashtme, në një intervistë për “Reuters”-in në Kampala.
Bashir (75), që e ka drejtuar Sudanin për 30 vjet, pasi që e kishte marrë pushtetin në kuadër të një puçi ushtarak, ishte rrëzuar nga ushtria javën e kaluar, pas shumë muajsh të protestave nëpër rrugë. Bashir përballet me fletarrest ndërkombëtar rreth vrasjes së rreth 300.000 personave, gjatë një kryengritjeje në rajonin perëndimor sudanez të Darfurit, rreth një dekadë më parë.