Gilbert Burns është detyruar të tërhiqet nga lufta kryesore në ngjarjen UFC 251, pas testimit pozitiv për COVID-19.
Braziliani 33-vjeçar është dashur të sfidojë Kamaru Usmanin për titullin në kategorinë uelter, në “Ishullin e Luftërave”.
Burns ka udhëtuar nga Florida për në Las Vegas, prej nga është dashur të udhëtojë për në Abu Dhabi, ku UFC-ja ka ndërtuar Ishullin e Luftërave.
Por ai nuk ishte në gjendje të udhëtonte për në ishullin Yas, pasi rezultati për koronavirus i doli pozitiv. Është raportuar se edhe vëllai i tij, Herbert Burns dhe trajneri Greg Jones janë infektuar me koronavirus.
“Nuk po ndihem mirë, por unë do të fitoj këtë betejë”, ka shkruar Burns.
Nuk ka ndonjë njoftim nga UFC-ja nëse do të mbahet ngjarja e paraparë për 12 korrik. UFC-ja është seria më e madhe e Arteve Marciale të Përziera (MMA).