Shkup, 20 shkurt – Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale – Shkup dhe Universiteti i Evropës Juglindore, përmes Institutit të Mjedisit të Jetesës dhe Shëndetësisë, sot nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim.
“Me nënshkrimin e Memorandumit, Universiteti i EJL-së dhe NP “Higjiena Komunale” obligohen në bashkëpunim reciprok dhe përkrahje me qëllim të shkëmbimit të përvojave, dijeve, edukimit, mësimit praktik të studentëve dhe profesionalizimin e kuadrove nga fusha të ndryshme, si dhe bashkëpunimin në projekte inovative për ruajtjen e higjienës dhe mbrojtjes së mjedisit të jetesës, informojnë nga “Higjiena komunale”.
Drejtori i Higjienës komunale Abdusamed Shabani para studentëve e prezantoi punën dhe aktivitetet e ndërmarrjes në vitin 2018.
Rektori i Universitetit të EJL-së prof.dr. Abdulmenaf Bexheti i theksoi sukseset e deritanishme të ekipit drejtues të ndërmarrjes, ndërsa drejtorit Shabani i ndau fletëlavdërimi.