Tetovë, 11 korrik – Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë do të merr përsipër që të përkthejë të gjitha aktet juridike të institucioneve të cilët janë si rrjedhojë e zbatimit të dygjuhësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këtë e parasheh Marrëveshja e cila sot është nënshkruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë në mes të rektorit të këtij institucioni Abdylmenaf Bexheti dhe sekretariatit për çështje Evropiane të drejtuar nga zëvendëskryeministri Bujar Osmani. Rektori Bexheti u shpreh i kënaqur që Qeveria e mirëpriti nismën për konkretizimin e bashkëpunimit të nisur dy muaj më parë, me nënshkrimin e këtij memorandumi. “UEJL dëshmon se është i gatshëm të merr përgjegjësi shoqërore dhe të jep kontributin në dy procese shumë të rëndësishme për vendin, duke ndihmuar në organizimin e trajnimeve për administratën dhe redaktimin gjuhësor të gjitha akteve juridike shtetërore”, tha rektori Bexheti.
Zëvendëskryeministri Osmani e cilësoi Universitetin e Evropës Juglindore si institucion më kredibil dhe me serioz për të qenë bartës i proceseve integruese të vendit. “Memorandumi ka karakter shumëdimensional dhe parasheh që në negociata të përfshihen edhe ekspert nga ky universitet”, tha Osmani.
Memorandumi synon të krijojë bashkëpunim midis të dy palëve në përafrimin me BE-në dhe përfshirjen e komunitetit akademik në forma të ndryshme të bashkëpunimit dhe partneritetit në procesin e integrimit evropian. Marrëveshja sipas drejtuesve të këtyre institucioneve është nënshkruar në kohë rekorde pas bisedimeve paraprake dhe hap horizonte për bashkëpunim më të zgjeruar në të ardhmen.