Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 dhjetor – Universiteti i Evropës Juglindore po mbyll 2017-ën me një sukses të shënuar në nivele të angazhimeve globale. Me realizimin e projektit të impiantit fotovoltaik, UEJL po i krijon vetes hapësirë që të shndërrohet në institucionin e parë ekologjik të arsimit të lartë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Falë angazhimit në planin e krijimit të eko-hapësirave, UEJL u bë bartëse e projektit për vendosjen e një impianti fotovoltaikti në Maqedoni, të financuar nga Ministria e Mjedisit të Italisë. Me këtë, sipas zyrtarëve të UEJL-së, ky universitet po dëshmon se ka një rol dhe kontribut shumëdimensional në shoqëri, pra përveç angazhimit në krijimin e kuadrove si dhe kontributit në sferën e kërkimeve shkencor, universiteti në fjalë po angazhohet edhe në programe të cilat janë në dobi të komunitetit. Një rast konkret në këtë drejtim është edhe angazhimi i UEJL-së në krijimin e eko-hapësirave, thotë Demush Bajrami, këshilltar i rektorit për marrëdhënie me publikun.
“Së shpejti, UEJL do të ketë kampusin ekologjik, pasi janë vënë bazat për një gjë të tillë. Është realizuar projekti i impiantit fotovoltaik, ngrohjes nga biomasa si dhe ulja e emisioneve të gazrave serë. Me këtë, që në vitin 2017 kemi arritur të përmbushim objektivin 2020”, shprehet Bajrami. Ky angazhim i përbashkët mes UEJL si dhe dy ministrive të mjedisit, të Italisë dhe Maqedonisë, sipas Bajramit, nuk është i rastësishëm. Krijimi i eko-hapësirave, konkretisht synimi për ta ngjitur kampusin e UEJL-së në kampus ekologjik, thotë se është pjesë e Planit Strategjik 2017-2010 të UEJL.
“Impianti fotovoltaik, ndryshimet klimatike dhe përmbushja e objektivave që ka në misionin e vet të zhvillimit strategjik të Universitetit për të ulur përqindjen e grimcave të dëmshme dhe për të neutralizuar karbonin në ajër, janë plane serioze. Sepse, po e shndërrojnë kampusin e UEJL në eko-kampus, duke rritur burimet e ripërtëritshme të energjisë, efikasitetin më të mirë energjetik, e kështu me radhë”, sqaron për KOHA, këshilltari Bajrami. Raporti që ka të bëjë me realizimin e Planit të veprimit klimaterik të UEJL-së, pretendon që në vitin 2020 të reduktojë në 34.8 për qind pjesëmarrjen e emisioneve të gazrave serë (Greenhouse Gases). Kjo pritet të hap rrugën e angazhimit të mëtejmë për neutralitetin karbonik, që Evropa e ka vënë si synim për vitin 2030. Të gjitha këto angazhime do ta bëjnë UEJL një hapësirë të denjë ekologjike, sipas standardeve evropiane. Dhe më këtë, UEJL do të ketë edhe kampusin e parë ekologjik në Maqedoni sa u përket institucioneve të arsim të lartë.
Ditë më parë, janë mbushur 16 vjet nga funksionimi i këtij universiteti privat, jo-profitabil, i cili u themelua në vitin 2000, me ndërmjetësimi e ish-komisarit të lartë të OSBE-së, Maks Vander Shtulit si dhe me financimin e shteteve të BE-së dhe SHBA-ve. Katër vitet e fundit, UEJL ka investuar shumë edhe në “Parkun Teknologjik”, i cili, thonë se përputhet me qëllimet strategjike të politikave publike për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë dhe rajonit.
“Parku Teknologjik është një sektor i rëndësishëm, pasi janë pikërisht sektorët e teknologjisë së informimit dhe komunikimit, të cilat ofrojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Maqedoni dhe më gjerë”, konsideron Bajrami, këshilltari për marrëdhënie me publikun i rektorit Zamir Dika. (koha.mk)