AEK i Athinës duhet të dëmshpërblejë Bayern-in me 32,880 euro. Ky është vendimi i marrë nga UEFA të premten, me klubin grek që ka marrë një paralajmërim të ashpër.
Vendimi lidhet me një ndeshje të Champions League luajtur më 23 tetor, ku Bayern fitoi 2-0, ndërsa AEK kishte vendosur çmime tepër të larta për biletat e tifozëve bavarezë që kishin shkuar në Greqi.
Tifozët e Bayern-it protestuan dhe Bayern iu drejtua UEFA-s, që hapi një hetim. Tashmë hetimi ka përfunduar dhe ka rezultuar se AEK ka trajtuar në mënyrë të pandershme tifozët gjermanë.
Për pasojë, AEK do të duhet të kthejë pas 10 euro për çdo biletë, me Bayern-in që do të duhet të gjejë mënyrën për t’ua shpërndarë tifozëve që ishin në Greqi.
Edhe në sezonin 2017/18 tifozët e Bayern-it u penalizuan nga politikat e paskrupullta të Anderlecht-it, që kishte vendosur çmimin prej 100 eurosh për biletë, por më pas UEFA vendosi që çdo tifoz të dëmshpërblehej me 30 euro.