Shkup, 2 prill – Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, të mërkurën zhvilloi një video-konferencë me sekretarët e përgjithshëm të të gjitha 55 shoqatave anëtare të UEFA-s, dhe më pas Komiteti Ekzekutiv i UEFA-së mori disa vendime. Kështu, takimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës sërish është shtyrë dhe do të luhet në një termin të ri. Fillimisht ishte planifikuar që të dyja përfaqësueset të përballeshin më 26 mars, mirëpo për shkak të pandemisë së virusit korona u shty për më 4 qershor, ndërsa Shtëpia e Futbollit Evropian ka marrë vendimin që kjo përballje të luhet mes datave 3 dhe 8 shtator.
Finalja e madhe ndërmjet fitueseve të dueleve Gjeorgji-Bjellorusi dhe Maqedoni e Veriut-Kosovë është caktuar për datën 8 shtator.
Ndërkohë UEFA ka marrë vendimin se prioritet do t’u jepet kampionateve dhe Kupave të Evropës që do të luhen në verë në gjysmën e dytë të korrikut dhe në muajin gusht edhe pse datat e reja nuk janë aprovuar ende nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.
Gjithsesi futbolli në Evropë nuk do të rifillojë përpara fundit të majit dhe fillimit të qershorit kur të jetë qetësuar gjendja nga virusi korona. Komiteti Ekzekutiv përsëriti angazhimin e tij të plotë për licencimin e klubeve dhe “fer-plej-n” financiar dhe ranë dakord që rrethanat e jashtëzakonshme aktuale kërkojnë ndërhyrje të caktuara specifike dhe lehtësimin e punës së shoqatave anëtare dhe klubeve dhe mbështeti propozimin për t’iu dhënë shoqatave kombëtare më shumë kohë për të përfunduar licencimin e klubit.
Si rezultat i pasigurisë në rritje të shkaktuar nga gjendja e jashtëzakonshme aktuale, Komiteti Ekzekutiv, gjithashtu ka vendosur të ndërpresë dispozitat e licencimit të klubeve, që kanë të bëjnë me përgatitjen dhe vlerësimin e informacioneve të ardhshme financiare për klubet. Ky vendim zbatohet kryesisht për pjesëmarrje në garat në nivel klubesh të UEFA-s nga sezoni garues 2020/21. (F.N)