UEFA ka rihapur hetimet për financat dhe shpenzimet e Paris St.Germain. Fillimisht, në qershor, klubi francez ishte liruar nga çdo akuzë për thyerje të rregullave të Fair Play-t financiar por tani UEFA ka bërë të ditur që ai vendimi do të rishikohet. Sipas vetë UEFA-s, organi që merret me kontrollet financiare të klubeve ka vendosur që çështja do të rihapet për hetime të mëtejshme. Rregullat e fair play-t financiar detyrojnë klubet që të ruajnë një ekulibër mes shpenzimeve dhe të ardhurave, diçka që PSG dukshëm nuk e ka bërë. Në gusht 2017, klubi parizien më shumë se dyfishoi shifrën rekord të paguar për një futbollist, kur ofroi 222 milionë euro për Neymar, duke marrë yllin brazilian nga Barcelona. Në të njëjtin vit ata blenë edhe Kylian Mbappe për 180 milionë euro, edhe pse shuma u deklarua këtë vit, pasi sezonin e parë lojtari u mor në huazim nga Monaco.