Shkup, 19 mars – Në vend të afatit aktual 31 mars që klubet të aplikojnë për licenë, UEFA ka njoftuar të gjitha klubet evropiane që kjo datë është prolonguar për 30 prill të vitit 2020. Me këtë gjest UEFA i ka dalë në ndihmë klubeve të cilët për shkak të virusit korona për momentin kanë vështirësi për ta kompletuar dokumentacionin. Kështu, pritet që të gjitha klubet e Ligës së Parë futbollistike të Maqedonisë së Veriut sëbashku me ekipin e Ligës së Dytë Bregallnicën të aplikojnë për licencë për të luajtur në garat Evropiane sezonin e ardhshëm, edhe pse për momentin nuk dihet se kur do të përfundojë sezoni aktual.
“Qeveria e futbollit evropian, UEFA, duke parë zhvillimet e fundit mbi përhapjen e virusit COVID-19 pothuajse në të gjithë Evropën, ka vendosur të shtyjë afatin e licencimit të klubeve kandidate për një licencë në kompeticionet evropiane. Afati i fundit për plotësimin e dokumentacionit në lidhje me kriterin financiar ishte data 31 Mars 2020. Afati i ri që UEFA ka vendosur është data 30 Prill 2020, ku të gjithë klubet kandidate duhet të dorëzojnë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dokumentacionin e plotë në lidhje me këtë kriter. Kriteret e tjera, ai sportiv, infrastrukturor, administrativ dhe ligjor, janë mbyllur më datë 28 Shkurt, ashtu siç edhe klubet ishin lajmëruar më parë nga Menaxheri i Lincensimit”, thuhet në njoftimin e UEFA-s. (F.N)