Pas ndeshjeve të kësaj jave të Ligës së Kampionëve, UEFA ka publikuar një njoftim, ku i ka sqaruar të gjitha kontestimet në lidhje me gjyqtarët dhe VAR-in, përfshirë këtu golin e Ajaxit kundër Real Madridit.
Goli i tretë i Ajaxit në triumfin 1-4 ndaj Real Madridit të martën në “Santiago Bernabeu” solli polemika.
Dusan Tadic shënoi një super gol me të majtën e tij në minutën e 62-të, i cili u quajt i vlefshëm vetëm pas plot katër minutave rishikim të rastit në VAR.
Në fillim të aksionit të Ajaxit tek ky gol, u duk sikur topi e kishte kaluar vijën anësore, me madrilenët që ishin të bindur se topi e kishte kaluar vijën.
Mirëpo, UEFA e ka sqaruar vendimin e gjyqtarit.
“Nuk kishte asnjë provë përfundimtare që topi e kaloi vijën e lojës plotësisht. Të gjitha videot dhe fotografitë u analizuan në mënyrë të kujdesshme nga VAR-i”, shkruhet në njoftimin e UEFA-s.
“Gjyqtari i katërt, i cili ishte i pozicionuar në mënyrë të përsosur, kishte bërë të ditur se topi nuk e kaloi plotësisht vijën e fushës. Për këtë arsye, nuk pati nevojë për analizë brenda në fushë. Gjyqtari pati të drejtë që nuk ndërhyri dhe e lejoi golin”.