“Kompania ‘Gazmend Turist’ filloi transportin e udhëtarëve me tre linja për në kryeqytetin e vendit dhe po aq edhe për në Strugë dhe Ohër. Por udhëtarët janë të paktë”, thotë Gazmend Skara, ndërsa shton se kompania respekton masat qeveritare për udhëtimin e pasagjerëve për transportin, por se po punohet me dëme të mëdha financiare
Vjollca SADIKU
Dibër, 6 qershor – Pas një kohë të gjatë për rreth 90 ditësh, disa nga kopmanitë për transport të udhëtarëve në Dibër përsëri rivendosën linjat nga Dibra për në qytetet të tjera. Por, ka kompani të cilët akoma nuk e kanë marrë këtë hap, meqë interesimi i dibranëve për të udhëtuar jashtë qytetit është minimal. Kompanitë të cilët rifilluan linjat e rregullta thonë se janë të paktë dibranët, që udhëtojnë për në Gostivar, Tetovë, Gostivar dhe Shkup. Pronari i kompanisë më të madhe të transportit për pasagjerë në Dibër – “Gazmend Turist”, thotë se nga dita e djeshme ka rifilluar të mirëmbajnë relacionet Dibër-Tetovë-Shkup dhe Dibër-Strugë edhe atë me tre linja në ditë. “Kompania ‘Gazmend Turist’ filloi transportin e udhëtarëve me tre linja për në kryeqytetin e vendit dhe po aq edhe për në Strugë dhe Ohër. Por udhëtarët janë të paktë”, thotë Gazmend Skara, ndërsa shton se kompania respekton masat qeveritare për udhëtimin e pasagjerëve për transportin, por qëndron fakti se punohet me dëme të mëdha financiare.
Edhe pronari i kompanisë “Burim Trejd”, Burim Çikri, na informoi se ka filluar me mirëmbajtjen e linjave nga Dibra për në Gostivar, Tetovë dhe Shkup, si dhe për në Strugë. Ai thekson se edhe pse kushtet për udhëtim janë në përputhjet me masat qeveritare, dibranët të cilët vendosin të udhëtojnë – janë në numër shumë të vogël. “Koronavirusi na ka dëmtuar shumë dhe vazhdon të na dëmtojë në aspektin material. Dëmet janë të mëdha e sigurisht do të kemi pasoja në funksionimin e kompanisë”, thotë pronari Çikri. Me dëme punojmë edhe në taksi kompanitë që funksionojnë në Dibër. Minimal është numri i shfrytëzuesve të taksi-kompanisë, meqë virusi Kovid-19 e ka bë të veten, thotë bashkëbiseduesi i jonë. Për dallim nga dy kompanitë në fjalë për transport të udhëtarëve, kompania “Unik Turs” edhe pse ka kaluar mbi 90 ditë nga mos funksionimi për shkak të koronavirusit, nuk ka vendosur të mirëmbajë linjat që ajo posedon. Pronari Azem Ballanca thotë se respektimi i masave qeveritare ka ulur dukshëm numrin e pasagjerëve dhe interesimin për të udhëtuar me transportin ndërurban. “Prandaj jemi duke pësuar dëme të mëdha materiale dhe presim një moment më të mirë për të rivendosur linjat nga Dibra për në qytetet të tjera”, thotë Ballanca.
Pikërisht shkaku që kompanitë e transportit të pasagjerëve në Komunën e Dibrës ballafaqohen me dëme të mëdha materiale, është numri minimal i dibranëve që udhëtojnë për në qytet e tjera të vendit. Edhe ata që udhëtojnë kryesisht janë persona që kanë nevojë për vizita spitalore ose ndonjë nevojë urgjente që ka të bëjë me aspektin individual apo familjar. Vet fakti se në masat mbrojtëse të qeverisë theksohet se duhet qytetarët të rrinë nëpër shtëpitë e tyre, është qartë se popullata – sidomos në Dibër ka respektuar këto masa. Edhe në apelin e tij të fundit, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka tha se dibranët pa nevojë nuk duhet të udhëtojnë në qytet të tjera. (koha.mk)