Ky përvjetor i hidhur, që ma kujtoi gazetarja Diellza Miftari, duke xhiruar këto ditë dokumentarin për regjisorin Afet Miftari, më ktheu në gushtin e verës së vitit 1993 kur ndodhi vizita në mesin e shqiptarëve të Ukrainës, që bëri jehonë me udhëpërshkrimet televizive të dyshes Sefer Musliu – Afet Miftari, e pastaj edhe libri që e botuam me Seferin. Pas kësaj, shumëçka ndryshoi në jetën e atyre shqiptarëve të harruar në brigjet e Detit Azov (tri fshatra) dhe në Besarabi (siç quhej dikur) ku gjendet fshati i parë, Karakurti (në Rajonin e sotëm të Odesës)…
Nga Daut DAUTI
1. KUJTIMI PËR AFET MIFTARIN DHE UDHËTIMI NË UKRAINË: Më 1 tetor mbushen dy vjet pa një emër të gazetarisë televizive ndër ne. Pa regjisorin e Televizionit Shtetëror të Maqedonisë, Afet Miftarin. Njëri ndër ata që pothuajse katër dekada trasoi me shumë mundime rrugën e produksionit televiziv në gjuhën shqipe, që nga koha kur kishte vetëm pak minuta në javë ose në ditë emisione në gjuhën shqipe, e gjer te pothuajse një kanal televiziv. Emri i tij është ndër më të shpeshtët në shpicën e emisioneve informative, madje dhe në dokumentarë me çmime ndërkombëtare(“Fati”, të autorit Sefer Musliu…). E kujtoj Afet Miftarin për përkushtimin dhe pedanterinë e punës me kamerë, duke u kushtuar rëndësi edhe detajeve më të imëta. Me punën e përkushtuar të tij kam pasur rastin ta shoh më për së afërmi para 25 vjetësh, kur i vizituam fshatrat e banuara me shqiptarë në Ukrainë. Gjithë ajo rrugë gjer në këto fshatra ishte si një ëndërr, sepse i gjetëm ata shqiptarë sikur të ishin nga një planet tjetër. I kishim harruar që ekzistojnë. Ata kishin qenë vetëm në faqe të pluhurosura të gazetave dhe përtej kufijve të kujtesës. Një lajm me një lapsus të madh i agjencisë së lajmeve të ish-Bashkimit Sovjetik(për themelimin e një shoqate shqiptarësh në Odesë dhe me pohimi se jetojnë 4 milionë) nxiti kureshtjen për t’u rënë pas…
Ky përvjetor i hidhur, që ma kujtoi gazetarja Diellza Miftari, duke xhiruar këto ditë dokumentarin për regjisorin Afet Miftari, më ktheu në gushtin e verës së vitit 1993 kur ndodhi vizita që bëri jehonë në vjeshtë të atij viti me udhëpërshkrimet e dyshes televizive Sefer Musliu – Afet Miftari, e pastaj edhe libri që e botuam më vonë me Seferin, poashtu të ndjerë që para dhjetë vitesh. Mos të ishte vetiniciativa jonë dhe entuziazmi i pashoq i këtyre dyve, para së gjithash, ndoshta asnjëherë nuk do të realizohej. Pas kësaj, shumëçka ndryshoi në jetën e atyre shqiptarëve të harruar në brigjet e Detit Azov(tri fshatra) dhe në Besarabi(siç quhej dikur) ku gjendet fshati i parë, Karakurti(në Rajonin e sotëm të Odesës). Pastaj kanë shkuar edhe shumë ekipe gazetarësh dhe janë bërë shumë ekspedita shkencore nga albanologë të Sankt Petersburgut, janë shkruar edhe punime e libra sidomos për zakonet dhe gjuhën e tyre(Derzhanjin, Irina Varonina, Marina Domosileckaja, e së fundmi edhe nga Aleksandar Novik), pastaj nga publicisti kosovar Kurtesh Devaja. Gjatë komunizmit, në vitet 50-të ka pasur ekspedita shkencore, ku ka qëndruar edhe etnologu Selim Islami, i cili kishte mbledhur atëherë shumë material, sidomos këngë popullore. Të gjitha këto paraqesin një kontribut të jashtëzakonshëm për historikun e krijimit të këtyre kolonive të largëta nga trungu kombëtar. Janë dërguar edhe mësues falë angazhimit të një entuziasti tjetër, Jakup Lecajt, nga Kosova, i cili me vite i ka vizituar. Vetë ne, ekipi i parë gazetaresk që i vizitoi pas rënies së komunizmit, duke dashur të mos mbetemi vetëm me atë vizitë, katër vjet më vonë(1997), me ndihmën e pronarit të agjencisë “Durmo-turs”, Durmish Behlulit (ai vetë personalisht erdhi me autobusin e tij) organizuam ekspeditën me ansamblin “Emin Duraku”(mbajti dy koncerte), këngëtarët Selajdin Miftari-Salushi (si dhe Agim Ismaili, kryetar i Ansamblit), që ishin një përjetim i rrallë për këta banorë, por dhe për ne. Me ne pat ardhur edhe albanologu i njohur, prof.dr. Haki Imeri, që të njihet nga për së afërmi me “gjuhën e Skënderbeut”, siç e quanim të folmen e tyre arkaike, sepse ishte ruajtur mrekullisht nga trendet e gjuhës shqipe në dy shekujt e fundit. Te bibliotekat e shkollave, dërguam edhe abetaret e para.
2. “SHKIJET”: Por, meqë ra fjala, në këtë dy-vjetor të vdekjes së Afetit dhe 25 vjetorin e këtij udhëtimi, m’u kujtua edhe diçka tjetër, që dua ta ndaj me lexuesit nga kujtimet për episodin më sfidues të karrierës profesionale. Në shikim të parë është krejtësisht perifere në kuptimin e rëndësisë, po tepër domethënëse në kontekst të bashkëkohësisë se si që atëherë, por dhe tash, ndokush ndër ne, i shikon gjërat me dioptri të çuditshme. Kështu, fill pasi ishin emetuar dokumentarët në TV, takoj një mik të anës së Dërvenit, i cili kalimthi deshi të ndante me mua përshtypjet për emisionet, si shumëkush atë vit të largët të 1993-tës. Prisja të fliste me superlativë, si gjithkush që kishte mbetur i befasuar që kishim “zbuluar” shqiptarë atje ku nuk e kishim ditur që ka. Por, atij, i kishte bërë përshtypje krejtësisht diçka tjetër. Dy gjëra që ne vetë nuk e kishim ditur “që janë shumë me rëndësi” jetike për një shikues si ai. “Krejt, krejt, ama ju kishit bërë dolli me raki!”, ma tha ai me seriozitetin më të madh. Ishte pra, rakia që i kishte bërë përshtypje nga gostitja e nikoqirëve, ku rakia dhe vera e shtëpisë ishin të pashmangshme në “sofër”. Vërtet si s’na kishte “shkuar mendja” se do të na shihte dikush duke ngritur dolli me nikoqirët! Desha të pyes se çka duhej të bënim ne, që të fyenim mikpritësit, t’u shpjegonim gjerë e gjatë për arsyet në një kohë dhe mjedis të mbrujtur ideologji, se ka që s’e pinë rakinë, apo të bënim flijesë, e cila atë kohë edhe nuk ishte ndonjë flijesë, të jem i sinqertë. Por, kur i thashë se s’kishte tjetër qare, se mos i fyenim nikoqirët, miku kishte argumentin kryesor për ta mohuar këtë arritje tonën profesionale:
“Fundja, çka ju desh t’i zbuloni ata shkije?!”(!!!???) Uh, këtu na lidheshka “karaxha”, thashë me vete ashtu siç thonë në Dërven.
“Çka na duhen ata shkije!”, jehonte me vite kjo shprehje e këtij mikut, i cili ishte shkolluar në një nga vendet arabe. Ai kishte shenjuar shumë “miza” me një shuplakë. Së pari, ai kishte devalvuar një rrugëtim interesant profesional prej nga doli një zbulim ekskluziv. Nuk ishte gjë e vogël në ato kohë të turbullta, kur po shthurej Bashkimi Sovjetik, të arrije në rajone ku askush nuk ka besuar se mund të jetojë ndonjë shqiptar. Së dyti, nuk i kishte bërë përshtypje se përmes kamerës së Afet Miftarit dhe mikrofonit të Sefer Musliut, opinioni në Maqedoni(së pari) e pas emetimit në TVSH edhe ai në Shqipëri, kishte dëgjuar se si është folur shqipja e konservuar e para 2-3 shekujve, si jetonin ata atje dhe si kishin mbijetuar. Vetëm këto fakte do të mjaftonin për shikuesin shqiptar që të mrekullohej dhe të mbyllte sytë para ndonjë elementi “dytësor”, si dollia me raki, që i ishte fiksuar atij në mendje. Por mikut i kishte penguar dhe gati se na mëshironte që kishim bërë mijë mijëra kilometra rrugë në shkuarje-ardhje, me pak mjete udhëtimi, për t’i gjetur ata “shkije”! Për të s’ishte me rëndësi që ata ishin shqiptarë, por fakti që nuk ishin myslimanë!
Populli shqiptar u ka bërë ballë sfidave historike duke kultivuar tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, aq sa edhe një shoven si Shesheli, na e ka zili, prandaj, të gjenden shqiptarë të cilët duan t’i shlyejnë shqiptarët me besim tjetër, kjo shpjegohet me ndonjë shpërlarje truri, ose siç thonë nga Dërveni, të jesh “shartuar” keq! Po mundohem ta gjej fjalën e duhur për këtë, po nuk gjej më përkatëse se “mendje e robëruar”. Por, kur jemi te “shkijet”, shqiptarët e Ukrainës, “shkije”(më saktë: shkle”)u thoshin “të tjerëve”, pra, jo shqiptarëve në atë mjedis ku ata ishin ngulitur para 200 vjetësh, rusëve, ukrainasve, bjellorusëve…, edhe pse të një feje me ta. (Ngjashëm e kemi edhe te Fishta…).
E keni vërejtur se si shumë myslimanë shqiptarë s’duan ta përmendin fort “shkinën” Nënë Tereza?! Nxjerrin një mijë arsyetime të tipit “ajo s’ka bërë asgjë për shqiptari”, “ajo ka qenë jo humaniste, por misionare e krishterë”. Ky miku që i pengonte që i kemi gjetur “shkijet shqiptarë” në Ukrainë as që e ve në kantar Nënë Terezën, ai nuk logjikon si shqiptar, por si një mysliman i indoktrinuar në formën më rigide,të gjithë shqiptarët jo myslimanë i shumëzon (si Milenko i famshëm për urrejtje patologjike), me zero. Ai, pra, prototipi i myslimanit që tolerancën e ka vetëm sa për sy e faqe, ndërkaq vetë është jo tolerant, thotë me gojën plot: LE T’NA E MARRIN NËNË TEREZËN, ÇKA NA DUHET AJO SHKINË!”. Çka do thotë ky prototip i myslimanit të shkombëtarizuar për palestinezët, të cilët njësoj si ne e kanë ruajtur respektin ndërfetar në kombin e tyre? Pse myslimanët palestinezë nuk “ia japin” Izraelit “shkijet” e tyre, por bashkë me ta, ndër vite, kanë luftuar për kauzën e Palestinës së lirë?!
Disa mendjerobëruar si ky, kur u themelua Universiteti “Nënë Tereza” nuk duruan pa thënë “a nuk pati tjetër emër për t’i vënë?!”(Kuptohet, pati dhe të tjerë e kontestuan themelimin në atë stilin ballkanas “për inat…”, duke e quajtur projekt partiak, duke harruar që ai universitet ishte i degëve shkencore teknike dhe ishte në kryeqytetin e Maqedonisë, ku më parë nuk mund të paramendohej. Edhe sot ka të tillë që vazhdojnë të përpiqen për ta rrënuar atë pikërisht për shkak “papërshtatshmërisë” se emrit(Nënë Tereza) dhe inatit ndaj themeluesit të saj(i adresohet BDI-së),në vend se të jetë e kundërta. Ose shpikin edhe ndonjë pretekst tjetër që ky universitet, vetëm pse e ka emrin që e ka, të mos etablohet si duhet).
Fakti që Nëna Tereza gjithë jetën ka qenë një misionare e krishterë, nuk përbën argument komprometues për të. Një pjesë e mirë e shqiptarëve janë katolikë. Me miliarda katolikë ka bota, por të rrallë janë ngritur në nivelin e respektit si Nënë Tereza (çmimi Nobël dhe shpallja shenjtore nga Vatikani). Përse dikush aq lehtë thotë “le të na e marrin këtë shkinë”, duke u ndihmuar me naivitet disa qarqeve që vërtet duan ta përvetësojnë ose relativizojnë origjinën e saj (“shkupjania”).
Vërtet nevojitet një lloj skenimi të trurit atyre që shkojnë aq larg sa të bëjnë dallime midis vetë shqiptarëve. Në këtë kontekst nuk duhet pa përmendur relativizmin e “rizgjimit” të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë. Përpjekjet për t’i vetëdijesuar gjithë ata shqiptarë që e kanë humbur udhën gjatë historisë(për shkak të trysnive dhe ndikimeve të pushteteve dhe kishave fqinje) , mund të mos e arrijnë efektin e dëshiruar, por kauza e tyre në ditët e sotme nuk është krejtësisht e kotë. E vërteta për ta duhet t’u përplaset në fytyrë atyre qarqeve politike e shkencore në Maqedoni të cilët mohojnë autoktoninë e shqiptarëve, ose ua përvetësojnë figurat historike. Nuk kemi pse i japim aq lehtë, siç parapëlqen prototipi i myslimanit mendjerobëruar… Sepse, çka bëhet nëse ndiqet kjo logjikë, ose logjika e atij priftit shqiptar nga Detroiti, Don Anton Kqira, i cili kishte shprehur keqardhje që Millosheviqi nuk i kishte asgjësuar “si qentë” myslimanët shqiptarë të Kosovës!
Sepse, leksionet fetare për tolerancës te të gjitha doktrinat fetare nuk duhet të mbeten vetëm në fjalë…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)