Uashington, 6 shkurt – Katër udhëtimet e para të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp pas inaugurimit në vitin 2017 deri te rezidenca e tij private dhe klubit të golfit Mar-a-Lago në Palm Biç në Florida, u kanë kushtuar tatimpaguesve amerikanë pothuajse 14 milion dollarë, theksohet në raportin e shërbimit revizor qeveritar GAO.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Uashingtoni, sipas të dhënave të GAO-s, për katër udhëtimet e Trampit në Mar-a-Lago nga 3 marsi i vitit 2017, institucionet federale kanë shpenzuar rreth 13.6 milionë dollarë, pwrcjellw gazeta KOHA.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, gjegjësisht 10,6 milionë dollarë, janë shpenzuar për sigurimin e presidentit. Tre milionë janë dedikuar për mbulimin e shpenzimeve për qëndrimin e Trampit, ndërsa mjetet e tjera për pagën e njerëzve të cilët e shoqërojnë në ato udhëtime.
Shtëpia e Bardhë nuk i ka komentuar këto shpenzime, por nga Administrata paraprakisht kanë thënë se presidenti “punon madje edhe gjatë pushimit”.
Disa media publikuan se në vitin e parë të mandatit presidencial, Trampi ka shfrytëzuar pushim në kohëzgjatje prej 100 ditëve, prej të cilave 67 ditë ka luajtur golf.(koha.mk)