Nga Alexandra von NAHMEN
Me udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, Presidenti i SHBA-së Trump donte të tregonte, që pretendimi i tij “America First”- është kompatibël me rolin lider amerikan në botë. Koreografia e këtij udhëtimi ishte konceptuar me zgjuarsi dhe udhëtimi ishte planifikuar prej javësh të tëra: Nga Riadi – historike dhe unike – ai shkoi direkt në Jerusalem. Nga vendi i shenjtë turi vazhdoi në Vatikan, për të vazhduar mes miqve e partnerëve në Bruksel e në Taormina. Një udhëtim, që i ofroi shansin Presidentit amerikan, të shkëlqejë në skenën botërore – si burrë shteti, i cili tërheq vëmendjen, frymëzon dhe respektohet anë e mbanë. Por që i cili në radhë të parë ndjek një qëllim: të mbrojë interesat e SHBA-së. Ky ishte narrativi i udhëtimit. Njerëzit e shtypit përreth Trumpit dhe këshilltarët e tij e ekzagjeruan madje me superlativa përshkrimin e sukseseve të tyre.
IMAZHE TË BUKURA, POR ASPAK SUBSTANCË
E vërteta e hidhur është se, pas imazheve të bukura dhe deklaratave të mëdha ka pak substancë. Deri tani shtëpia e bardhë e ka lënë pas dore, që t’i konsolidojë premtimet dhe nismat e presidentit me detaje përmbajtësore. Si do të vihet në jetë vendimi i Riadit për të bllokuar burimet financiare të ekstremistëve dhe mbështetësit e tyre? Sa konkret është plani për një paqe në Lindjen e Mesme? Edhe më keq akoma: Udhëtimi demonstroi edhe një herë më shumë, se sa fort i përmbahet Trumpi një politike të jashtme transatlantike. Një politikë, që karakterizohet nga një garë interesash, që negociohen vazhdimisht. Kjo me pasoja të rrezikshme: Për t’i vënë në lëvizje sundimtarët dhe qeveritë në shumicën e vendeve myslimane që të bashkëveprojnë në aleancën e tij kundër ekstremizmit, Presidenti u ka dhënë atyre pothuajse dorë të lirë në qeverisjen në vendet e tyre. Të drejtat e njeriut dhe forcimi i shoqërisë civile pothuajse nuk luajnë asnjë rol.
LOJË E RREZIKSHME ME ZJARRIN
Për të fituar mbështetje në Arabinë Saudite dhe në Izrael, gjatë udhëtimit të tij në mënyrë të përsëritur Trump turfullonte kundër Iranit. Por kërcënimet e tij nuk duan të thonë, se SHBA-ja vërtetë do ta anulojë marrëveshjen bërthamore të vendosur me disa partnerë me Teheranin. Por retorika konfrontuese e Trumpit mund të çojë në një dhunë të re mes shiitëve dhe sunitëve në rajon. Presidenti i SHBA-së luan me zjarrin dhe me sa duket nuk do t’ia dijë për pasojat. Të shtangur dhe të indinjuar e panë këtë spektakël aleatët e SHBA-së në Evropë. Shpresa e tyre për ta bindur Trumpin në biseda personale lidhur me vlerat e përbashkëta si dhe për nismat e vendosura me paraardhësin e tij Obama, u shuan. Në Bruksel Presidenti i ri i SHBA-së madje i injoroi me kritikët e tij të vrazhda partnerët e NATO-s lidhur me shpenzimet e tyre për mbrojtjen dhe kjo madje në një ceremoni, që synonte ta kremtonte aleancën si një lidhje historike dhe me orientim drejt së ardhmes.
ALENACA AD-HOC KUNDËR ALEANCAVE TË VJETRA
Që Presidenti i SHBA-së në samitin e G7 në Taormina de facto i minoi bisedimet e përbashkëta dhe që ai nuk lëshoi pe për shumë çështje, tregon taktikën e vërtetë dhe rrezikun e presidencës së tij: “America First” mund të nënkuptojë krijimin e aleancave ad hoc – dhe njëkohësisht të frikësojë partnerët afatgjatë dhe besnikë. Besueshmëria e Amerikës kësisoj është në rrezik. Kjo është ajo që mbetet nga udhëtimi i parë i Trumpit jashtë vendit. (DW)