Shkup, 29 mars Udhërrëfyesi i publikuar nga partia e Nikolla Gruevski – VMRO, si mënyrë për dalje nga kriza politike, është i papranueshëm për partitë parlamentare shqiptare. Ata vlerësojnë se Gruevski nuk ka kredibilitet për të ofruar zgjidhje, ndërkaq pranimi i një dokumenti të tillë, do ta thellonte edhe më shumë krizën, raporton Portalb. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), zbatimin e të njëjtës e vlerëson si izolim të Maqedonisë, si në aspekt politik, por edhe atë ekonomik. “Kjo mënyre e zgjidhje së krizës politike e propozuar nga VMRO-DPMNE aspak nuk ka të bëjë me zgjidhje të saj, përkundrazi ajo do ta thellojë edhe më shumë atë. Udhërrëfyesi nuk paraqet asgjë tjetër më shumë se sa tërheqje e vëmendjes drejt VMRO-DPMNE-së”, tha anëtari i kryesisë qendrore e BDI-së, Rafiz Aliti për Portalb. Edhe lëvizja BESA vlerëson se ky “dokument” nuk duhet të shqyrtohet pasi që partia e Gruevskit nuk është e denjë që të ofrojë zgjidhje për dalje nga kriza politike. “Dokumentin që e publikoi dje VMRO-DPMNE-ja nuk duhet të shqyrtohet ngaqë ajo si parti nuk është e denjë të ofrojë zgjidhje për dalje nga kriza. Bashkë me partnerin e tyre shqiptar janë faktori dhe fajtori kryesor që shteti sot gjendet në këtë krizë. Gjithçka çfarë kanë pasur për të propozuar e kanë bërë gjatë viteve në pushtet, pasojat e së cilës po i vuajmë edhe sot e kësaj dite”, tha zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani. Edhe për Aleancën për Shqiptarët, VMRO-DPMNE-ja nuk paraqet ndonjë faktor që të ofrojë “udhërrëfyes” për Maqedoninë, dhe se sipas saj me rëndësi parësore është që kjo parti të pranojë fillimisht Platformën Shqiptare. “VMRO-DPMNE-ja nuk është në gjendje që të ofrojë udhërrëfyes për vendin. Është mirë që ato kanë filluar të reflektojnë, por së pari mirë do të ishte sikur ta pranonin Platformën Shqiptare”, tha deputeti Vesel Memedi.