Rezistenca e armatosur e UÇK, që u manifestua edhe me aktin sublim të Jasharajve në Prekaz, vuri Kosovën në tryezën e diskutimeve të komunitetit evropian. Çështja e Kosovës u trajtua nga Bashkimi Evropian, Grupi i Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, etj., të cilat ofruan alternativa të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga propozimet më të rëndësishme ishte ai i Grupit të Kontaktit i datës 9 mars 1998, i cili doli me propozimin për “… një autonomi substanciale për Kosovën, që do të shprehej me vetë-administrimin e saj përmbajtësor, duke funksionuar si njësi më vete brenda Serbisë, e jo në kuadër të Jugosllavisë”
Nga Prof.dr. Sabit SYLA
(vijon nga dje)
Gjatë viteve 1992-1995 komuniteti ndërkombëtar ishte i angazhuar kryesisht në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Derisa në aspektin e jashtëm Kosova u la në harresë, në aspektin e brendshëm në Kosovë vazhdonte dhuna sistematike policore serbe. Gjitha institucionet shoqërore-ekonomike e politike ishin uzurpuar nga Serbia, mbi 30.000 punëtorë shqiptarë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës, nxënësit, studentët e mësimdhënësit nga shkollat e fakultetet. Filloi të mbizotëronte një gjendje e rëndë ekonomike. Tashmë ne këto momente të vështira ekzistonte solidariteti popullor dhe organizimi për ndërtimin e institucioneve paralele. Shqiptarët në Kosovë kishin ngritur sistemin e pavarur arsimor – shtëpi/shkollat, institucionet shëndetësore – nëpër shtëpi private, me një rezistencë pasive kundër okupimit serb.
QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR GJATË VITEVE 1995-1997
Në këtë periudhë daljen nga kjo gjendje e vështirë elita politike shqiptare e kohës e shihte tek përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve në Bosnjë-Hercegovinë e me këtë edhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Pasi që Evropa nuk kishte qenë në gjendje ta zgjidhte krizën në Bosnjë-Hercegovinë, dhe për të parandaluar zgjerimin e krizës dhe përfshirjen e shteteve tjera në të, një përgjegjësi të tillë e mori përsipër administrata e presidentit BillKlinton. SHBA organizoi Konferencën e Dejtonit, që u mbajt në nëntor 1995. Por, Kosova nuk ishte ftuar në këto bisedime pasi që gjasat për arritjen e paqes do të ishin më të vogla nëse do të diskutoheshin probleme të gjera dhe se pjesëmarrja e Kosovës mund të ishte shkaspër zemërimin e Millosheviqit, i cili shihej nga ndërkombëtarët si çelës i arritjes së paqes.
Refuzimi i faktorit ndërkombëtar për ta trajtuar çështjen e Kosovës në Dejton shkaktoi një zhgënjim dhe pakënaqësi të përgjithshme në Kosovë. Perëndimi nuk e kishte shpërblyer durimin e popullit dhe punën e liderit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës, pavarësisht vlerësimeve pozitive për rezistencë paqësore. Bashkimi Evropian vazhdoi me qasjen se raportet e përmirësuara midis BE-së dhe RFJ-së mund të çonin deri tek një qasje “konstruktive” e RFJ-së në akordimin e një lloj autonomie për Kosovën. Një qasje e tillë nënkupton se Bashkimi Evropian nuk kishte ndryshuar qëndrim karshi Kosovës dhe po vazhdonte me qëndrimin e vjetër për Kosovën në kuadër të Serbisë. Një tjetër argument që e vërteton këtë konstatim është se komuniteti ndërkombëtar tani filloi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së arsimit në Kosovë, me shpresën se një gjë e tillë do ta qetësonte situatën e do t’i hapte rrugë dialogut të mëtejshëm midis Serbisë dhe shqiptarëve në Kosovë. Me ndërmjetësimin e komunitetit katolik Shën Exhidio u arrit marrëveshja midis Ibrahim Rugovës e Sllobodan Millosheviqit për kthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet e tyre duke filluar nga shtatori 1996.
Sigurisht, një marrëveshje e tillë nuk u zbatua, sepse ajo kishte qenë vetëm një lojë e Millosheviqit për ta hequr nga vetja presionin e komunitetit ndërkombëtar e njëkohësisht edhe për ta goditur rezistencën aktive shqiptare që kishte filluar t’i jepte shenjat e para në Kosovë. Në anën tjetër, një marrëveshje e tillë ishte e nevojshme edhe për Ibrahim Rugovën, pozitat politike të së cilit kishin filluar të veniten në Kosovë. Në këto rrethana, qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës, bëri që qarqe të ndryshme politike në Kosovë të mendonin për gjetjen e formave të tjera të rezistencës kombëtare. Deri tek një pikë e tillë çonin analizat që iu bënë vendimeve të Dejtonit. Pavarësisht kostos së izolimit ndërkombëtar, dënimeve për spastrimit etnik dhe gjenocid, serbët e Bosnjës kishin përfituar më shumë se sa kishin kërkuar.
Me fjalë tjera, marrëveshja e Dejtonit bëri të ditur se marrëveshjet territoriale në baza etnike në Ballkan, gëzonin legjitimitet në sytë e Perëndimit dhe se vetëm përdorimi i forcës në tentativat për arritjen e vetëvendosjes mund ta siguronte vëmendjen e Perëndimit.Në këtë kontekst, shumica e shqiptarëve në Kosovë tani u bindën se ishin shteruar mjetet politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemit, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e konsideronte Kosovën si problem serioz. Në anën tjetër, gjatë viteve 1995-1997 shtypja serbe vazhdonte ende më ritmin e vjetër, duke privuar shqiptarët nga të drejtat e tyre më elementare, në të gjitha segmentet e jetës ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore e politike. Lëvizja shqiptare e rezistencës pasive filloi t’i nënshtrohej një transformimi të pjesshëm pasi që një pjesë e aktivistëve filloi t’i bashkëngjitej rrymave të reja. Në fakt, filloi një lëvizje aktive që fillimisht u shoqërua me demonstrata popullore. Një faktor tjetër që përshpejtoi organizimin e rezistencës aktive ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1997 në Shqipëri. Skemat piramidale financiare që i kishte lejuar Qeveria shqiptare kishin arritur fundin e tyre të natyrshëm. Shqipëria ra në anarki. Qeveria shqiptare e kohës humbi kontrollin, kurse armatimet e braktisura nga forcat e sigurisë u vodhën. Qindra mijëra armë ishin në dispozicion të qytetarëve, sidomos pushkët automatike. Kjo ngjarje lehtësoi organizimin e rezistencës së armatosur. Një faktor tjetër që intensifikoi transformimin e rezistencës pasive në atë aktive ishte edhe Lëvizja Studentore, respektivisht demonstratat studentore të tetorit 1997. Dhuna e shfrenuar serbe kundrejt demonstruesve paqësorë bindi komunitetin ndërkombëtar për vështirësitë në demokratizimin e Serbisë, kurse ishte edhe një moment kthese, sepse ktheu vëmendjen e Perëndimit përsëri nga Kosova. Rritja e interesimit të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, vërtetoi edhe njëherë se përfshirja ndërkombëtare ndodh vetëm pas eskalimit të situatës. Në aspektin e brendshëm, protesta po ashtu bindi popullatën shqiptare në Kosovë se me Serbinë është e pamundur marrëveshja në kushte paqësore, sidomos kur pas paqes në Bosnjë, Serbia i kishte duart e lira të merrej me Kosovën e në këtë mënyrë ta shtonte dhunën e represionin. Andaj, në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme të vendit dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe status quo-së.
QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTARE GJATË VITEVE 1998-1999
Në kushtet e dhunës së vazhdueshme policore serbe dhe mungesës së perspektivës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, organizimi i rezistencës së armatosur u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes së saj. Shqiptarët u detyruan të organizoheshin për vetëmbrojtje e luftë të armatosur, me qëllim që t’i mbrojnë vatrat dhe tokën e tyre, dhe për të fituar lirinë. Ndonëse celulat e para të organizimit të rezistencës së armatosur i hasim qysh në fillim të viteve 1990, 28 nëntori i vitit 1997 shënon daljen publike në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Skenderajt. Pavarësisht se misioni i UÇK nënkuptonte luftën për të drejtën legjitime të një populli për liri, dhe se në ballafaqim me UÇK-në forcat serbe kishin ushtruar dhunë të paparë ndaj civilëve të paarmatosur, komuniteti ndërkombëtar, jo vetëm se vazhdoi me të njëjtat pretendime për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sigurimin e një autonomi në kuadër të Serbisë, por edhe e cilësoi UÇK-në si një “organizatë terroriste”. Një deklarim i tillë nga një diplomat amerikan i dha hapësirë Millosheviqit që nën maskën e “fushatës kundër terrorizmit” të ushtronte dhunë kundër civilëve, duke vrarë një numër të madh të tyre.
Pavarësisht rrjedhojave, këmbëngulja e UÇK-së dhe shkalla e paarsyeshme e dhunës së ushtruar nga autoritetet policore serbe kundër popullatës civile, bënë që komuniteti ndërkombëtar në pjesën e parë të vitit 1998 ta modifikonte qëndrimin ndaj Kosovës. Një nga përfaqësuesit e BE-së kishte deklaruar se BE refuzonte të pranonte se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë.
Me fjalë tjera, rezistenca e armatosur e UÇK, që u manifestua edhe me aktin sublim të Jasharajve në Prekaz, vuri Kosovën në tryezën e diskutimeve të komunitetit evropian. Çështja e Kosovës u trajtua nga Bashkimi Evropian, Grupi i Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, etj., të cilat ofruan alternativa të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nga propozimet më të rëndësishme ishte ai i Grupit të Kontaktit i datës 9 mars 1998, i cili doli me propozimin për “… një autonomi substanciale për Kosovën, që do të shprehej me vetë-administrimin e saj përmbajtësor, duke funksionuar si njësi më vete brenda Serbisë, e jo në kuadër të Jugosllavisë”. Nuk ka asnjë dyshim se një ofertë e tillë paradoksale ishte e papranueshme për shqiptarët e Kosovës. Mospranimi i “autonomive” të tilla dhe vazhdimi i rezistencës së armatosur bëri që komuniteti ndërkombëtar t’i avanconte propozimet e saj për Kosovën. Tani, në tryezë të bisedimeve u hodh edhe opsioni i një republike në kudër të federatës jugosllave. Kjo skemë parashihte që Kosova të kishte kushtetutën e saj, t’i administronte çështjet e brendshme dhe të kishte të drejtën e vetos në nivel federate. Niveli federativ do të kishte kompetenca në fushën e mbrojtjes, politikës financiare dhe të politikës së jashtme. Vëmendja ndaj kësaj ideje konsistonte në faktin se nuk kishte nevojë për ndryshimin e kufijve ndërkombëtar të Jugosllavisë, edhe pse sipas logjikës së Komisionit të Badinterit Republika e Kosovës do të ishte kandidate për njohje si një shtet i ri.
Mali i Zi u shpreh kundër, sepse një skemë e tillë ia zbehte atij rolin në federatë. Por, as serbët e as shqiptarët nuk do të pranonin një skemë të tillë. Si do të mund të jetonin shqiptarët nën sigurinë e një ushtrie që kreu masakra, vrasje e depërtime, apo në anën tjetër, si mund të pranonte Serbia një republikë të Kosovës kur aq shumë energji e propagandë ishte harxhuar e kur shumë mite për serbizmin e kishin gjenezën në Kosovë. Sidoqoftë, gjatë fundit të marsit dhe gjatë gjithë prillit 1998, SHBA dhe Bashkimi Evropian, respektivisht mekanizmat përkatëse nën drejtimin e këtyre subjekteve, dolën me ide dhe propozime të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që fillonin nga një autonomi politike e administrative, autonomi e zgjeruar, republikë me kusht, republikë me kompetenca jo si të Malit të Zi, por jo më pak se “Republika Srpska” në Bosnje-Hercegovinë, republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë pas një prove transitive të vetëqeverisje së vetë suksesshme prej 3 vitesh, etj. Por, sikurse shihet, asnjëra nga këto propozime nuk e parashihte pavarësinë e Kosovës, pra gjitha ato, pak a shumë, parashihnin gjetjen e një lloj modeli përmes së cilës Kosova do të mbetej nën Serbi, ndonëse ishte e qartë se asnjëra nga këto propozime nuk do të pranohej nga shqiptarët e Kosovës, sepse binin ndesh me parimet themelore të luftës çlirimtare.
Krahas aktiviteteve të komunitetit ndërkombëtar, në terren gjithnjë e më shumë po faktorizohej UÇK, e cila me ngulm kërkonte të merrte përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar e kishte kuptuar se nuk mund të arrihej një zgjidhje pa UÇK-në, prandaj për të kuptuar nga dora e parë qëllimet e luftës çlirimtare, diplomati i rangut të lartë amerikan, Riçard Holbrok, zhvilloi në fund të qershorit 1998 në Junik një takim me përfaqësues të UÇK. Edhe pse Holbrok kishte deklaruar se “… ishte një takim jozyrtar midis përfaqësuesve amerikanë dhe atyre të UÇK-së me qëllim të identifikimit të gjendjes reale në terren …”, megjithatë një akti i tillë mund të konsiderohet edhe si njohje e heshtur e UÇK-së nga SHBA. Pas momentit të cekur më lart, faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër do të orientohet tek Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pasi që UÇK-ja ishte forcë reale në terren, e cila nuk mund të anashkalohej as nga faktori ndërkombëtar e as nga Jugosllavia në përpjekjet për ndaljen e luftimeve dhe vendosjen e paqes. Në këtë mënyrë kontaktet midis UÇK dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë do të intensifikohen gjatë nëntorit 1998. Diplomatët evropianë e amerikanë u takuan me përfaqësues të UÇK-së në Dragobil në nëntor 1998. Këto takime ishin një indikacion i qartë se adresa e bisedimeve me shqiptarët tanimë ishte zhvendosur nga Prishtina në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe se UÇK tanimë ishte pranuar edhe zyrtarisht si faktor vendimtar për çështjen e Kosovës.
Zgjerimi i territoreve nën kontroll të UÇK dhe kundër ofensiva serbe e gushtit 1998, që u shoqërua me zhvendosjen e një numri të madh civilësh nga vendbanimet e tyre, bëri që komuniteti ndërkombëtar të angazhohej për ndaljen e luftimeve, si parakusht për zhvillimin e aktiviteteve drejt gjetjes së një zgjidhjeje paqësore. Më 13 tetor 1998 nënshkruhet marrëveshja ku policia e ushtria serbe do të ktheheshin në nivelet e paraluftës, në Kosovë do të vendosej misioni verifikues i OSBE dhe se NATO do të bombardonte Jugosllavinë brenda 96 orësh nëse marrëveshja nuk do të realizohej. Pavarësisht këtij kërcënimi, gjatë periudhës janar-mars 1999 vazhdoi dhuna brutale e forcave serbe kundër civilëve. Mbi 200 000 njerëz u dëbuan nga vatrat e tyre, kurse nga Serbia gjithnjë e më tepër vinin përforcime ushtarake. Kulmi i dhunës serbe ishte masakra e Reçakut, 15 janar 1999, ku u masakruan mbi 45 civilë. Më 20 mars Misioni Verifikues u tërhoq nga Kosova.
Ndërkohë në shkurt 1999 kishte filluar punën Konferenca e Rambujesë që për detyrë kishte gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën. Bisedimet për bazë kishin projekt propozimet për të ardhmen e Kosovës, të hartuara nga diplomatët Hill dhe Petrisch. Në përbërje të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishin përfaqësues të UÇK-së dhe të spektrit politik të Kosovës. Delegacioni i Kosovës kryesohej nga përfaqësuesi i UÇK-së, Hashim Thaqi. Teksti i parë i draft marrëveshjes që iu prezantua shqiptarëve dhe serbëve kishte pesë pika: ndërprerja e menjëhershme e dhunës; tërheqja e menjëhershme e forcave policore e ushtarake jugosllave nga Kosova; stacionimi në Kosovë i një force ushtarake të udhëhequr nga NATO; rikthimi i sigurt i refugjatëve dhe personave të zhvendosur; dhe një zgjidhje politike që përbëhet nga një autonomi e zgjeruar për Kosovën.
Por, propozimi nuk kishte qenë i pranueshëm për dyja palët. Jugosllavia refuzoi praninë e forcave ndërkombëtare, kurse shqiptarët opsionin e autonomisë së zgjeruar të cilin e kishin pasur edhe me Kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa e spektrit politik shqiptar ishte pavarësia, pasi që dhuna brutale serbe prej një dekade nuk kishte lënë hapësirë për shqiptarët që të jetojnë nën ombrellën e shtetit serb.
Më 15 mars 1999 rifilluan bisedimet, që ishin ndërprerë për shkak të mospajtimeve. Teksti i ri i negociatave ofronte një autonomi të zgjeruar që përmbante një vetëqeverisje për gjitha çështjet e brendshme, si: arsimi, shëndetësia dhe ekonomia. Kosova do të kishte presidentin dhe kuvendin, gjykatën supreme, qeverinë etj. Trupat dhe zyrtarët e huaj do ta garantonin zbatimin e marrëveshjes. Autonomia e zgjeruar do të ofrohej për një periudhë prej tre vitesh. Pas tre vitesh do të mbahej një konferencë ndërkombëtare për të vendosur mbi statusin final të Kosovës. Sidoqoftë, në esencë integriteti dhe sovraniteti i Serbisë do të ruheshin. Kompetencat e RFJ në Kosovë do të ishin: (a) integriteti territorial; (b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda RFJ; (c) politika monetare; (d) mbrojtja; (e) politika jashtme; (f) doganat; (g) sistemi tatimor federal; etj. Për më tepër, në Kosovë do të kishte tre nivele të autoriteteve të zbatimit të ligjit, kosovare, republikane dhe federale, kurse kufijtë ndërkombëtarë do të kontrolloheshin nga autoritetet jugosllave (rreth 1500 ushtarë). Në Kosovë do të zbarkonte edhe një forcë e NATO-s si garantuese e marrëveshjes. Në fakt, oferta ndërkombëtare ishte hiç më shumë se sa autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974. Sidoqoftë, në përmbyllje të draft tekstit qëndronte dispozita që parashihte organizimin e një konference ndërkombëtare për të caktuar mekanizmat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës bazuar në vullnetin e popullit, përpjekjeve të palëve për respektimin e marrëveshjes dhe Aktit Final të Helsinkit.
Pavarësisht se premtohej një konferencë për statusin e Kosovës, një formulim i tillë, ku theksohej ruajtja e integritetit territorial të RFJ dhe politikat e përbashkëta në sferat më të rëndësishme, ishte vështirë i pranueshëm për delegacionin shqiptar. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright, i dha garanci të qarta delegacionit shqiptar në Rambuje se shprehja “vullnet i popullit” nënkupton vullnetin e popullsisë në Kosovë e jo të asaj në Serbi e Mal të Zi, që do të shprehet përmes referendumit. Delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e refuzuan. Edhe pse marrëveshja parashihte ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë refuzimi i Jugosllavisë mund të lidhet me dy faktorë: vendosja e forcave të NATO- në Kosovë e jo të atyre të KB-ve, si dhe lëvizja e lirë e trupave të NATO-s në gjithë Serbinë. Sidoqoftë, ky akt u konsiderua si casusbelli për të nxitur intervenimin ushtarak pas përfundimit të bisedimeve. Më 24 mars 1999, filloi fushata e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve policore e ushtarake jugosllave. Fushata zgjati 78 ditë. Në qershor 1999 gjeneralët e Millosheviqit u detyruan ta nënshkruanin kapitullimin e Ushtrisë jugosllave dhe brenda një kohe të shkurtër forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse në Kosovë u vendosën Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), dhe KFOR-i. (fund)
(Autori është drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë. Ky hulumtim është shkruar ekskluzivisht për gazetën KOHA)