Prishtinë, 16 janar – Një zyrtar i lartë i Qeverisë Amerikane i ka rikonfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për punën e Gjykatës Speciale dhe u ka bërë thirrje liderëve që të përmbahen nga gjuha nxitëse kundër Gjykatës, sepse siç ka thënë ai, e ardhmja e Kosovës varet nga sjellja e tyre karshi këtij institucioni të drejtësisë, shkruan portali prishtinas “Insajderi”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë mbështetje të plotë punës së Gjykatës Speciale, pavarësisht se kush mund të jetë i akuzuar.
Një zyrtar i lartë i Qeverisë Amerikane ka thënë se Gjykata Speciale nuk ndikohet nga zhvillimet politike apo faktorë tjerë të jashtëm.
“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar: ne mbështesim punën dhe mandatin e Gjykatës dhe nxisim bashkëpunim të plotë me udhëzimet e saj”, ka thënë ky zyrtar i lartë.
Ky zyrtar ka mirëpritur bashkëpunimin e të dyshuarve me drejtësinë ndërkombëtare.
“Isha i inkurajuar kur pashë se disa individë tashmë kanë pranuar ftesa për të folur me Gjykatën. Çdokush që ftohet nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë duhet ta bëjë këtë, pavarësisht nga pozita që mbajnë, përkatësia politike apo statusi shoqëror”, ka thënë zyrtari amerikan.
Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë kosovarë që të shmangin retorikën nxitëse kundër Gjykatës.
“Përgjigja e udhëheqësve kosovarë ndaj veprimeve të Gjykatës Speciale do ta përcaktojë ndikimin e Gjykatës mbi stabilitetin në Kosovë. Udhëheqësit duhet shmangur retorikën nxitëse dhe duhet shpjeguar qytetarëve pse proces është jetik për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës”, ka thënë përfaqësuesi i SHBA-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka nisur zyrtarisht punën në selinë e saj në Hagë të hënën, kur intervistoi ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafën – Remin. Ish-udhëheqësi i luftës në Zonën Operative të Llapit u intervistua për mbi 14 orë gjatë të hënës dhe të martës.
Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.