Një gjyatë në Rusi dënoi pesë veta të shpallur fajtorë për vrasjen e politikanit opozitar, Boris Nemtsov. Zaur Dadayev, fajtor për të shtënat fatale mbi Nemtsovin, u dënua me 20 vjet burgim. Katër të tjerët: Anzor Gubashev, Shadid Gubashev, Temirlan Eskerkhanov dhe Khamzat Bakhayev u dënuan me burgim nga 11 deri në 19 vjet. Të pesë të dënuarit janë nga rajoni rus i Çeçenisë. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Personi i gjashtë, Ruslan Mukhudinov, është akuzuar në mungesë për organizim të vrasjes. Nemtsov, kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, është qëlluar për vdekje më 27 shkurt të vitit 2015, pranë ndërtesës së Kremlinit në Moskë. Të afërmit dhe ish-bashkëpunëtorët e Nemtsovit besojnë se vrasja e tij është urdhëruar nga nivele më të larta.