Gostivar, 20 Tetor – Nxënësit, mësimdhënësit dhe të punësuarit në shkollën fillore “Çajla” nga fshati Çajlë, shënuan patrionatin e shkollës. Drejtoresha e shkollës, Hava Elezi – Sadiku, theksoi para të pranishmëve se përgjegjësia e të gjithëve për përkujdesje ndaj këtij tempulli të diturisë është e madhe dhe duhet të bartet ndër breza. “Jemi ne ata që na pret kjo shkollë dhe jemi ne ata që e sakrifikojmë mundin dhe djersën për të nxjerrë në dritë brezat e ardhshme të këtij fshati. Përgjegjësia jonë është e madhe por bashkë me mbështetjen e institucioneve përgjegjëse, kuadrit mësimdhënës dhe ju prindërve të nderuar, do të ia dalim”, u shpreh Elezi – Sadiku. Të pranishëm në këtë manifestim ishin përfaqësues të Departamentin për Arsim, Kulturë dhe Sport të komunës së Gostivarit, dhe mysafir të tjerë. Përvjetori i shkollës u shënua me një manifestim kulturor dhe artistik të përgatitur nga nxënësit dhe nën përkujdesje të mësimdhënësve të shkollës.