Shkup, 8 shkurt – Ministria e Kulturës sot në ueb faqen e saj i publikoi rezultatet nga konkurset vjetore për financimin e projekteve me inters kombëtar në kulturë për vitin 2019 për aktivitetet dhe lëmitë. Është propozuar mbështetje për 2.781 projekte prej gjithsej 5.560 të arriturave, njofton Koha.
“Janë mbështetur projekte përmbajtësore dhe të argumentuara mirë, të konceptuara me përmbajtje cilësore artistike, projekte përmes të cilave kultivohet dhe inkurajohet diversiteti kulturor, krijimet artistike dhe zhvillimi kulturor. Mbështetje e madhe është dhënë edhe për projektet përmes të cilave promovohen mundësi të njëjta për të gjithë (vlera multikulturore në shoqëri, barazi gjinore, përfshirje e personave me nevoja të veçanta, grupet e prekura sociale, etj). Në Programin vjetor për vitin 2019 janë reflektuar edhe prioritetet e Ministrisë së Kulturës për mbrojtjen adekuate dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në pajtueshmëri me praktikat bashkëkohore evropiane, përforcimin e sektorit të pavarur kulturor si faktor i rëndësishëm sociokulturor, promovimin dhe plasmanin e kulturës së Republikës së Maqedonisë në suaza ndërkombëtare, si dhe realizimin e projekteve kapitale dhe investimeve në Shkup dhe qytetet përgjatë shtetit”, informojnë nga Ministria e Kulturës.
Prej atje shtojnë se përqindja e pjesëmarrjes në Ministrinë e Kulturës në financimin e projekteve është në pajtueshmëri me mjetet e parapara për financimin e projekteve me interes kombëtar në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2019 dhe shënimin e pikëve të komisionit profesional nga lëmia. Këtë vit, për herë të parë është sjellë edhe vlerësimi i projekteve përmes pikëve, e cila ishte publikuar së bashku me projektet e mbështetura.
Pas vendimit të marrë mund të parashtrohen ankesa në afat prej 15 ditëve deri te Komisionin shtetëror për vendosje në procedurën administrative dhe procedurë nga marrëdhënia e punës e shkallës së dytë, por, ankesa nuk e shtyn ekzekutimin.
Kryetarët e komisioneve të cilat i shqyrtonin aplikimet e arritura për veprimtari të caktuara për veprimtari të caktuara: Leonora Sejdiu (veprimtari ndërdisiplinore), Pleurat Gashi (folklor, veprimtari muzikore-skenike), Berton Sulejmani (veprimtari botuese), Petar Arsovski (veprimtari dramatike), Trajçe Bllazhevski (arte vizuale), Mile Velçkovski (trashëgimi kulturore e patundshme), Mila Shurbanovska (veprimtari muzeore dhe trashëgimi kulturore jomateriale), Vildane Idrizi (veprimtari bibliotekiste).
Thirrja për institucionet kombëtare, ishte publikuar në qershor të vitit të kaluar dhe në kuadër të afatit të paraparë me ligj ishin dorëzuar 1.630 aplikime me mbi 60 institucione kombëtare në lëmin e kulturës të cilat funksionojnë nën kompetencat e Ministrisë së Kulturës,. Prej tyre ishin mbështetur 910 projekte. (koha.mk)