Shkup, 29 prill – Shoqata për promovim dhe zhvillimin e kulturës “Porta Skupi”- Shkup në mjediset e Suli An-it dje mbajti manifestimin kulturor “Artizanatet dhe folklori edhe në dobi të gruas së sotme”. Këtë manifestim me praninë e tij e nderoi kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu i cili tha se femrave që merren me ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës duhet t’u jepet mbështetje më e madhe nga ana e institucioneve.
“Ne si komunë gjithmonë bëjmë përpjekje që t’i përkrahim të gjithë shoqatat apo individë që merren me zhvillimin dhe afirmimin e kulturës me theks të veçantë femrave të cilat krahas punëve tjera kontribuojnë për artin, kulturën dhe ruajtjen e traditave tona kombëtare”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit, njofton Medial.mk.
Kryetarja e Shoqatës për zhvillimin e kulturës në Maqedoni “Porta Skupi” -Shkup, Arlinda Kalisi tha arti dhe kultura janë shtylla kryesore për zhvillimin dhe civilizimin e një kombi.
“Artizanatet janë formë e vjetër e shprehjes artistike të folklorit tradicional shqiptar. Nga prodhimet e artizanatit, punët e dorës së grave janë shumë të lashta si traditë dhe janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës deri në ditët e sotme. Vend të rëndësishëm në punët e dorës së grave zë përgatitja e kostumeve popullore, punimet me filigran, endja e pëlhurave të ndryshme, thurjet me shtiza, ojat e dantellat dhe qëndisjet e shumëllojshme. Ato janë ruajtur në mënyrë origjinale dhe janë një shprehje e qartë e identitetit shqiptar”, tha Kalisi.
Me këtë ekspozitë adhuruesve të artizanateve, shton Kalisi, “ju jepet një freski dhe një moment i veçantë për të parë dhe shijuar nga afër aromën e këtyre punimeve kaq të bukura që ruhen më xhelozi edhe nga femrat e ditëve te sotme”.
Këtë manifestim kulturor e nderuan me prezencën e tyre edhe Xhane Kreshova, kryetare e Lidhjes së Gruas Tetovë dhe Gjynere Nebiu, kryetare e Shoqatës së grave “Antiko” si dhe Elena Mlladenovska Jelenkoviç, menaxhere për komunikim në kompaninë Tikvesh. Ndryshe, këtë projekt kulturor e mbështetën Komuna Çair, Komuna Saraj, Qyteti Shkupit, kompania Tikvesh dhe Radio Shkupi.