Zejnula VESELI
Shkup, 31 janar – Nga 412 milionë euro të planifikuara si investime kapitale, në Buxhetin e vitit 2016 dhe me rishikimin e buxhetit të shkurtuar në 363 milionë euro deri në fund të viti kalendarik Qeveria kishte arritur të realizojë vetëm 276 milionë euro e që do të thotë mosplotësim të investimeve kapitale për 70 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Nëse nuk do të kishim dy rebalance gjatë vitit 2016, mos realizimi i investimeve kapitale, sipas ekspertëve ekonomik, do të ishte dy herë më i lartë. Arsyet se pse Qeveria asnjëherë nuk arrin të realizojë investimet kapitale jo vetëm me buxhetin e planifikuar të vitit të kaluar, por edhe më buxhetet e mëparshme, sipas analistëve ekonomik, është për shkak se parashihen shifra të larta të investimeve kapitale për çdo projektim të buxheteve, ndërsa në vazhdimësi të hyrat janë më të ulëta se sa parashihen në buxhet. Bllagica Peterska, analiste ekonomike, thotë se ekzistojnë shumë arsye se pse Qeveria vazhdimisht në pesë vitet e fundit dështon në realizimin e investimeve kapitale. “Shfrytëzimi i projektimeve të larta të Bruto Prodhimin Vendor (BPV) për vitin rrjedhës me qëllim që të fryhet buxheti si formë e premtimeve të harxhimeve të ndryshme të shfrytëzuesve buxhetor. Gjithashtu, dështim për realizimin e investimeve kapitale është mos heqja dorë e praktikës për shkurtimin e harxhimeve rrjedhëse të buxhetit me qëllim të plotësimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore, sidomos nga vitit 2011 deri në vitin 2014”, thotë për KOHA, Petreska. Pra, vijon më tej ajo, në të dyja rastet kur nuk mund të arrihet planifikimi i paraparë, të parët që janë në shënjestër për shkurtimin e mjeteve janë investimet kapitale, që njëherësh luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e BPV-së. “Në studimin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) thuhet se harxhimet buxhetore në infrastrukturë janë prej 2 deri më 3 për qind në nivel të BPV-së, ndërsa për vitin e ardhshëm – BPV do të kishte rritje për 0.5 për qind. Pra, sipas FMN-së, kjo rritje prej 0.5 për qind do të mundësonte që në mënyre më produktive të shfrytëzoheshin mjetet për investime kapitale”, thotë Petreska. Meqë Maqedonia nuk ka kapacitete që t’i financojë të gjitha investimet kapitale të parapara me buxhete, është më se i domosdoshëm konsensusi shoqëror rreth prioriteteve për realizimin e investimeve kapitale. Profesori i ekonomisë, Pavle Gacov, potencon se shkalla për harxhimet kapitale gjithnjë është interesante për t’u analizuar, sepse pothuajse për çdo vit planifikohen shifra të larat të harxhimeve dhe në fund të vitit asnjëherë nuk realizohen planet për investimet kapitale. “Edhe në vitet më të mira ku kemi pasur stabilitet ekonomik dhe politik asnjëherë investimet kapitale të planifikuara në buxhet nuk janë realizuar më shumë se 70 për qind. Nuk e kam të qartë se pse gjithmonë parashohin investime kapitale kaq të larta kur ata të cilat planifikojnë buxhetin e kanë të qartë se kjo asnjëherë nuk do të realizohet, për një arsye të thjeshtë, sepse planifikuesit e buxhetit e dinë shumë mirë se arsyeja e vetme për mos realizimin e investimeve kapitale është se planifikimi i të hyrave në buxhet është i dobët. Pra, që të mund të realizohen 100 për qind e investimet kapitale, e patjetërsueshme është që të kemi të hyra të mira gjatë vitit rrjedhës”, thotë Gacov. Ndryshe, edhe për kundër të gjitha të dhënave se investimet kapitale të parapara në buxhet nuk realizohen asnjëherë qind për qind, edhe për vitin 2017 Qeveria ka paraparë 438,2 milion euro investime kapitale, por ekspertët ekonomik theksojnë se kjo është vështirë e realizueshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.