Shkup, 6 maj – Aksion për pastrimin dhe zbukurimin e mjedisit jetësor dje u zbatua në të gjitha komunat në Maqedoni, në organizim të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale – BNJVL. Theks ishte vendosur në pastrimin e deponive të paligjshme, heqjen e mbeturinave komunale, pastrimin e rrugëve dhe parqeve.
Kryeministri Zoran Zaev e përkrahi këtë aksion dhe e vizitoi komunën e Dojranit, ku së bashku me kryetarin e Komunës Ango Angov mbollën drunj dhe lule.
“Dojrani është njëri nga margaritarët e autenticitetit të Maqedonisë, meriton një aksion të tillë për shkak të gjithë neve, por edhe për shkak të mijëra turistëve të cilët vijnë këtu”, tha Zaev. Theksoi se mjedisi jetësor i shëndosh, si dhe bukuria dhe rrethina e pastër do të bëjë që turistët të kthehen përsëri në Dojran.
Në Shkup u pastrua bulevardi “8 Shtatori”, në lëvizje nga bulevardi “Ilinden” deri në rrugën “Skupi”. Në këtë aksion morën pjesë edhe komunat nga Shkupi të cilat i pastruan zonat për të cilat ato janë kompetente dhe ndërmarrjet publike të qytetit me të gjitha mekanizmat dhe potencialin njerëzor.
Në aksion u pastrua deponia e egra në rrugën Strumicë-Vallandovë, tek fshati Kosturino, në 15 lokalitete në Kavadar, në Prilep. Me dorë dhe me ndihmën e mekanizmave u pastrua edhe në Negotinë, në rrugën në bulevardin “Marshal Tito” nga të dy anët, nga stacioni policor deri në mbikalimin dhe hapësirën në hyrje dhe dalje të Negotinës, pjesë rreth Qendrës sportive dhe rekreative “Mladost”, rreth bregut të lumit të qytetit, në drejtim të pompës së benzinës dhe lokacione tjera.