Shkup, 29 shtator – Për punë llogaridhënëse, përgjegjëse, transparente dhe të ndershme u obliguan sot edhe zyrtarisht anëtarët e Qeverisë, duke e nënshkruar Kodin etik të miratuar më 22 shtator të këtij viti.
Në pajtim me Kodin, funksionarët, drejtorët dhe personat në pozita udhëheqëse në institucione, të emëruar nga Qeveria, në çdo gjashtë muaj do të duhet të parashtrojnë raport për shpenzimet e bëra gjatë punës së tyre, të cilat më pas do të publikohen në veglën qeveritare për llogaridhënie. Kodi i obligon edhe t’i publikojnë të dhënat për punën në plane, raporte revizore, llogari përfundimtare, lista të të punësuarve, përkatësisht gjithçka që është në interes të qytetarëve.
Siç theksoi kryeministri Zoran Zaev para nënshkrimit, me këtë akt, sistematikisht do të ngritet vetëdija e atyre të cilët kryejnë funksione publike, do të ndërtohet sistem i integritetit, sundim dhe menaxhim i mirë, por do të kthehet edhe besimi i qytetarëve në institucione, efikasitet të tyre dhe funksionalitet dhe do të përmbushet rekomandimi i GREKO-s.
Zaev tha se zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski do të jetë përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të Kodit.
“Ky është akt solemn me të cilin të gjithë ne si anëtarë të Qeverisë, zëvendësministra, drejtorë dhe funksionarë publikë, obligohemi ta pranojmë Kodin për respektim të kushtetutshmërisë, legjitimitetit, integritetit profesional, efikasitetit, lojalitetit, përgjegjësisë dhe transparencës së Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të saj. Nënshkrimi është pajtueshmëri e jona se i pranojmë të gjitha parimet më të larta etike për mbrojtje ë të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë ushtrimit të funksioneve tona dhe detyrave në kuadër të Kushtetutës, ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Zaev.
Sipas Nikollovskit, nuk do të tolerohet punë jotransparente dhe pa përgjegjësi. Nëse funksionarët qeveritarë nuk e respektojnë Kodin, do të përgjigjen në pajtim me Ligjin për qasje të lirë drejt informatave të karakterit publik.