Shkup, 5 tetor – Kronikë e publikuar në emisionin “360 gradë” në televizionin Alsat M, seri tekstesh kushtuar kushteve në burgjet e Maqedonisë të publikuara nga MIA dhe film i shkurtë dokumentar i publikuar në platformën “Vidi Vaka” janë tre storjet e shpërblyera gazetareske nga sfera e shoqërisë, jetës sociale, me fokus të avancimit të të drejtave të njeriut dhe promovimit të të drejtave të grupeve të ndjeshme sociale dhe të margjinalizuara, të cilat tradicionalisht i ndan Këshilli për Etikë të Mediave në Maqedoni.
Çmimin e parë e mori autori Hekuran Aqifi, për kronikën me titull “Në prag të ditës së shkopit të bardhë – a jemi shoqëri humane vetëm në letër” të publikuar në “360 gradë”. Të shpërblyerit e dytë janë gazetarët nga MIA, Ana Cvetkovska Toromanovska dhe Boris Kunoski për serinë e teksteve që kanë të bëjnë me kushtet nëpër burgje dhe repartin e paraburgimit në Shutkë, korrupsionin në burgje dhe çështjen rreth risocializimit të të burgosurve.
Çmimin e tretë e fituan Aleksandar Manasiev dhe Mirko Trajanovski për filmin e shkurtë dokumentar me titull “Grumbulluesit”, të publikuar në platformën “Vidi vaka”. U ndanë edhe tre mirënjohje, Nikolla Zdravkoviq mori mirënjohje për kronikën “Kush dhe si e solli ‘Ekonominë’ e fuqishme në shkopin lypës a ka shpresë të kthehet në rrugën e vjetër”, të publikuar në suaza të emisionit “360 gradë” në TV Alsat M.
Vesna Ivanovska mori mirënjohje për rrëfimin “Mësimdhënësi nga Sveti Nikole dhe nxënësi i tij me autizëm: Do të gënjeja nëse them se është lehtë, por është privilegj i madh-unë mësoj nga ai” të publikuar në portalin fakulteti.mk Aneta Ristevska, Maja Ravanska dhe Jane Stefanov morën mirënjohje për storjet e publikuara në revistën “Lice v lice”.
Fondi për çmimet është 1.800 euro për të gjithë storjet e shpërblyera. Çmimet edhe sivjet ndahen me mbështetje financiare nga UNESKO dhe BE-ja në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit në media në EJL dhe Turqi”.