Gostivar, me 25 Dhjetor – Këshilli i Komunës së Gostivarit mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetën pikë të rendit të ditës, Propozim- Vendimi për ndryshim të shpërndarjes së mjeteve në Buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2017.
Me shumicë prej 29 votave, Këshilli Komunal aprovoi vendimin me të cilin bëhet i mundur ndryshimi i shpërndarjes së mjeteve financiare në buxhet dhe mundësohet marrja e pagave për muajin nëntor për mësimdhënësit shkollave fillore dhe të mesme publike të Komunës së Gostivarit.
Pas mbarimit të seancës, këshilltari Shpëtim Xhelili mbajti konferencë për shtyp. Ja fjalimi integral i këshilltarit Xhelili:
Të nderuar përfaqësues të mediumeve,
Do të doja që në emër të shumicës së këshilltarëve në Këshillin e Komunës së Gostivarit, të sqarojmë opinionin publik rreth vonesave që u krijuan panevojë rreth pagesave për mësimdhënësit në Komunën e Gostivarit.
Është e vërtetë që kjo situatë u krijua me fajin e Kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili nisur nga kompleksi i tij për të mosrepsektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve që përcaktuan përfaqësimin e subjekteve politike në Këshillin e Komunës së Gostivarit, zvarriti punën e këtij institucioni duke mos njohur kryetarin legjitim të Këshillit Komunal, Dr. Nasir Musliu.
Fillimisht tentoi të bëjë obstruksione në mbarëvajtjen e seancës konstituive, duke urdhëruar administratorët komunalë që janë të angazhuar në zhvillimin e punimeve të Këshillit Komunal, që të lëshonin vendet e tyre të punës.
Pastaj, pasi shumica e konsoliduar e Këshillit Komunal zgjodhi në mënyrë demokratike kryesuesin e Këshillit Komunal, Arben Taravari vazhdoi me veprime dekonstuktive dhe jashtë çdo rregulle ligjore, për mos të shpallur në buletinin zyetar të Komunës së Gosivarit zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Komunal.
Si në seancën konstituive ashtu edhe në mbledhjen e radhës, këshilltarët nga radhët e Aleancës për Shqiptarët – ASH, kërkuan ndërprerjen e mbledhjes së Këshillit Komunal.
Duke i pasur para sysh të gjitha këto momente që mund të dëshmohet edhe nga procesverbalet dhe stenogramet e Këshillit Komunal, opinioni shumë lehtë mund të konstatoi se kush i krijoi këto vonesa të panevojshme, dhe kush vuan nga kapriçot që me çdo kusht të instalon pushtet absolut, edhe kur nuk përfillet principet e demokracisë dhe parimet juridike.
Po ashtu, gjendja e krijuar është edhe si pasojë e degradimit të administratës komunale, duke internuar në Ndërmarrjen Publike administratorë profesionistë dhe me përvojë institucionale, duke zëvendësuar ata me militantë partiak dhe pa përvojën e nevojshme.
Se është kështu, flet edhe paralizimi i plotë i administratës komunale, si dhe sjellja e akt – vendimeve joligjore qoftë për internimin e punonjësve, largimet nga puna dhe shkatërimi i drejtorëve të institucioneve që janë nën kompetencën e Pushtetit Lokal. Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë jashtë rregullave ligjore, dhe për të njëjtat patjetër se duhet të kërkohet përgjegjësi.
Ngecje ka në çdo sektorë dhe departamentë të Komunës së Gostivarit.
Duke i pasur shumë qartë pasojat që sollën deri tek kjo situatë e krijuar dhe mbi kë bie përgjegjësia, ftojmë Kryetarin e Komunës së Gostivarit të ndërpret deklaratat spekulative në opinionin. Kamuflimi dhe mënyrat spekulative e veprimit, nuk japin kontribut në tejkalimin e zgjidhjes së problemeve që po krijohen pa nevojë.
Ftojmë Kryetarin e Komunës së Gosivarit të merr përgjegjësi dhe të jetë në krye të detyrës për të cilën e votuan qytetarët e Gostivarit.
Tek Ne do të gjejë të hapur derën e bashkëpunimit, por vetëm duke respektuar vullnetin e
shumicës, vlerat e demokracisë, ligjin, dhe parimet demokratike.